IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë të policisë kufitare

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre  zyrtarëve policorë (një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor – që të gjithë punonjës në në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorin Rajonale Kufitare “Veriu”).

IPK mbrëmë ishte njoftuar nga Policia e Kosovës rreth një incidenti i cili kishte ndodhur në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare Veriu ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (me inicialet M.R) dhe i njëjti kishte rezultuar si person i kërkuar.

Personi i kërkuar dyshohet se ka vozitur veturën e tij mbrapa dhe është kthyer prapë në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur tek zyrtarët policorë të pikë kalimit kufitar.

Hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale  “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.