Parku “Diaspora” në Vushtrri me kontributet e diasporës shqiptare nga Suedia

Në oborrin e shkollës së Mesme Profesionale “Bahri Haxha” në Vushtrri, sot është përuruar Parku Diaspora, e cila është financuar me kontribute të diasporës shqiptare nga Kosova që jeton në Suedi.

Ceremonia është organizuar nga Komuna e Vushtrrisë, e sipas njoftimit për media nga kjo e fundit, me rastin e përurimit të këtij parku, kryetari Xhafer Tahiri, tha se ky investim në rregullimin e ambientit dhe infrastrukturës në hyrje të kësaj shkolle, do të kujtohet gjithmonë që është bërë me investimeve të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Suedi.

“Me këtë rast kryetari Tahiri ka falënderuar edhe njëherë bashkatdhetarët, e në veçanti gratë që përveç kontributit që po japin për ekonominë kosovare, po gjejnë rrugë dhe mundësi të ndihmojnë edhe pushtetin lokal në përmirësimin e infrastrukturës, në këtë rast për nxënësit dhe fëmijët tanë”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Vushtrrisë.

Gjithnjë sipas njoftimit, në këtë ceremoni ka folur edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila shoqërohej nga kolegët e saj deputetë Naser Rugova dhe Haxhi Avdyli.

“Ne duhet të punojmë që jo vetëm ta shfrytëzojmë potencialin e diasporës, por edhe ne si shtet ti shfrytëzojmë mekanizmat që duhet të krijohen, e që nuk i kemi tani, që diasporën tonë ta kemi sa më afër”, citohet të ketë deklaruar deputetja Osmani me rastin e përurimit të parkut në Vushtrri.

Ndërsa protagonistja e krejt këtij aktiviteti, Arta Krasniqi tha se ndjehet mirë që kanë pas mundësi të japin kontribut në rregullimin e këtij parku për shkollën, derisa ka shpjeguar se shoqata e tyre ka jap kontribut edhe në shumë projekte tjera gjithandej Kosovës, e sidomos në përkrahje të grave të prekura nga lufta.

Punimet për rregullimin e Parkut “Diaspora” janë financuar me kontributin e Diasporës shqiptare, konkretisht përmes shoqatës Rrjeti i Grave Shqiptare, “Sveriges Albanska Brudar”, në Suedi.