Isa Mustafa e quan gënjeshtar Enver Hoxhajn e PDK-së

Akademik Isa Mustafa i ka reaguar ashpër deputetit të PDK-së, z.Enver Hoxhaj, pas pretendimeve të tij se marrëveshja për asociacionin ishte nënshkruar nga ana e tij në vitin 2015.

Mustafa nuk heziton që ta quajë z.Hoxhaj gënjeshtar, ndërsa tregon se në fakt ai thjesht ka nënshkruar në vitin 2015 marrëveshjen e parë që parashihte themelimin e Asociacionin ashtu siç ishte paraparë në Marrëveshjen e parë të nënshkruar në vitin 2013 nga z.Hashim Thaçi.

“Unë kam nënshkruar një marrëveshje të parimeve të përgjithshme për implementimin e Marrëveshjes së Parë, si pjesë e zbatimit të Ligjit për ratifikimin e kësaj Marrëveshje.” – thotë z.Mustafa.

Ai madje i atribuon vetes edhe në fuqizimin e rolit të Gjykatës Kushtetuese përmes një klauzole përmes të cilës ajo marrëveshje u konsiderua si antikushtetuese.

Statusi i plotë:

Pse ka nevojë Enver Hoxhaj të gënjejë nga foltorja e Kuvendit?!

Është profesor universitar, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës; një kohë ministër i jashtëm sa kam qenë unë Kryeministër.

Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është në Marrëveshjen e Parë, të cilën e ka negociuar dhe e ka nënshkruar Kryeministri i atëhershëm, z. Hashim Thaçi (jo Isa Mustafa siç gënjen Enveri). Marrëveshja është ratifikuar me Ligj, në vitin 2013, me 2/3 e Kuvendit dhe është bërë obligim ndërkombëtar.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se Asociacioni do të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë e ratifikuar nga Kuvendi dhe e shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Unë kam nënshkruar një marrëveshje të parimeve të përgjithshme për implementimin e Marrëveshjes së Parë, si pjesë e zbatimit të Ligjit për ratifikimin e kësaj Marrëveshje.
E kam instaluar dhe fuqizyar rolin e Gjykatës kushtetuese, si arbitër përfundimtar. Por, të thuhet se unë e kam bërë marreveshjen në vitin 2015 për themelimin e Asociacionit, kur për te është vendosur në vitin 2013, është e pavërtetë absolute. Pse vazhdon avazin e gënjeshtrave Enver Hoxhaj, ai e di. Por me rrenë nuk i bënë mirë as partisë së tij e lere më Kosovës. IM