Isa Mustafa e takon ambasadorin Kosnett, e njofton se deri ku kanë arritur bisedimet me Vetëvendosjen

Kryetari Isa Mustafa së bashku me nënkryetarët e LDK-së takuan sot Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.

Gjatë takimit, Kryetari Mustafa njoftoi Ambasadorin Kosnett lidhur me rrjedhën e diskutimeve me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket çështjeve programore.

Në veçanti, u diskutua lidhur me harmonizimin e arritur deri tani në fushën e sundimit të ligjit, ekonomisë, çështjeve sociale, arsimit e shëndetësisë.

Kryetari Mustafa shprehi interesimin e LDK-së që Kosova sa më shpejt të ketë institucione funksionale që dalin nga kërkesat e qytetarëve për ndryshim, të shprehura qartë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai poashtu falenderoi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për përkrahjen e vazhdueshme në të gjitha proceset në të cilat ka kaluar Kosova.