Vuçiq: Kurtin po e mbështesin disa politikanë nga Britania e Gjermania

Gjithçka tjetër përpos njohjes ‘de facto’ dhe ‘de jure’ të Kosovës. Ky është qëndrimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq pas bisedimeve në Bruksel me liderët kryesorë të Bashkimit Europian, përcjell Gazeta Express.

“Jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që lidhet me marrëveshjet e arritura për Kosovën, përveç njohjes ‘de facto’ dhe ‘de jure’”, tha ai sot në TV Prva.

Vuçiq tha se “nuk mund ta pranojmë pavarësinë e Kosovës”, duke shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përdor “truke të ndryshme” në këtë drejtim.

“Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin”, tha Vuçiq, duke shtuar se disa politikanë nga Gjermania dhe Britania e Madhe e mbështesin kryeministrin e Kosovës, por sipas tij, edhe qarqe serioze politike nga Gjermania tani kërkojnë formimin intensiv të Asociacionit.