Ismet Munishi e krahason sistemin e futbollit të Kosovës me Korenë e Veriut

Ismet Munishi beson se do të dënohet së paku dy ndeshje pas kartonit të kuq që mori ditë më parë ndaj Gjilanit.

Ballkani e siguroi një fitore të madhe vikendin që lamë pas, me rezultat 2:1 në stadiumin e qytetit në Suharekë, në kuadër të xhiros së 16-të të këtij sezoni të Ipko Superligës së Kosovës.

Në minutën e 85-të të ndeshjes, trajneri i Ballkanit u ndëshkua me karton të kuq, për shkak të protestimeve të cilat sipas gjyqtarit Genc Nuza ishin të tepërta.

Përderisa po dilte nga fusha, Munishi i duartrokiti tifozët e Ballkanit dhe pastaj u ul në fushë dhe filloi t’i rregullojë këpucët e tij.

Pasi u ngrit në këmbë, ai e dërgoi edhe një puthje me dorë në drejtim të lojtarëve, trajnerëve e gjyqtarëve dhe pastaj shkoi drejt tunelit.

“Nuk e di, por pres që të pezullohem për dy ndeshje, ta shohim se çfarë vendimi do të marrë Komisioni Disiplinor”, ka thënë Munishi në ‘Rock n’Roll Football’.

Duke qenë tashmë i ndëshkuar tre herë me karton të kuq këtë edicion dhe me akuzat e shumta ndaj gjyqtarëve kosovarë, Munishi zbulon tutje edhe një rast interesant.

“Duhet të zbutet ky sistem sikur në Kore të Veriut, kam apelua edhe te FFK-ja ndaj një gjyqtari, por nuk janë marrë masa, nuk e di pse”, shtoi Munishi.

Tri pikët e asaj ndeshjeje patën vlerë të madhe, pasi që Ballkani e ka marrë kreun e Superligës me 34 pikë të fituara nga 16 ndeshjet e para – dhjetë fitore, katër barazime dhe dy humbje.