Statovci i kundërpërgjigjet opozitës: Kishin mundësi t’i rregullonin pagat, por iu mungoi vullneti

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë Guxo, Jeta Statovci ka folur për koeficientin e pagës që është përcaktuar në 105 euro.

Në një lidhje direkte nga Kuvendi i Kosovës Statovci ka thënë se ligji i pagave ka rregulluar hendekun në mes të pagës më të ulët dhe asaj më të lartë, nga 1me 20, në vetëm 1 me 5.

“Ligji i pagave e rregullon raportin në mes të pagës më të ultë dhe pagës më të lartë, në ta kaluarën ka qenë raporti një me njëzet derisa tani është prezantuar një raport që është një me pesë, pra paga më e ultë në raport me pagën më të lartë. Edhe standardet e BE-së qëndrojnë në standardin një me gjashtë”, ka thënë Statovci në ATV.

Ajo ka nënvizuar faktin se një koeficient më i lartë do të shkaktonte probleme buxhetore dhe gjithashtu një shpërputhje të madhe me sektorin privat.

“Në kuadër të koeficienit 105 reflekton mundësitë buxhetore gjithashtu ka pasur për qëllim që të krijoj një mesatare që nuk është në shpërputhje të madhe me sektorin privat. Me koeficientin e ri, paga mesatare në sektorin publik është 730 euro derisa në sektorin privat paga mesatare është rreth 420 euro”, tha deputetja.

Jeta Statovci iu është kundërpërgjigjur edhe kritikave të opozitës për koeficientin, duke thënë se ata që nga viti 2013 nuk kanë bërë asnjë lëvizje edhe pse i kanë pasur mundësitë.

“Përkundër kritikave të opozitës, vlen të përmendet që nga 2013-ta nuk ka pasur rritje të pagave në sektorin publik, jo që nuk ju ka munguar mundësia, por ju ka munguar vullneti”, tha ndër të tjerash, deputetja Jeta Statovci.

Kujtojmë se Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim ndryshimet në Ligjin për ndarjet buxhetore, përkatësisht koeficientin në vlerë prej 105 eurosh për pagat në sektorin publik.