Ish-deputeti Krasniqi: Ky është fajtori kryesor për ndarjen e LVV-së

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi është rrëfyer në Pressing të T7 duke dhënë detaje se pse është ndarë ky subjekt politik, vite më parë ku u larguan disa figura kyçe si Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Shpend Ahmeti, Aida Dërguti e Dardan Molliqaj dhe deputetë të tjerë të asaj kohe.

Ai e ka lënë fajtor 100 për qind kryetarin e kësaj partie, kryeministrn aktual, Albin Kurti.

Sipas tij, shefi i qeverisë e ka bërë përçarjen e LVV-së, pasi shton se i njëjti e ka nuhatur situatën dhe e ka shfrytëzuar atë për këtë çështje.

“E kam mbështetur LVV-në prej 2005. Unë e kam takuar Albin Kurtin në 2 të natës në burg të Pejës, mos me bo luftë civile. E kemi bo të pamundurën. Kur jam angazhuar LVV-në e kam kuptuar që këta janë mes komunistëve dhe anarkistëve. Zakonisht njerëzit e rinj kanë kësi ambicie, nuk i kuptojnë politikat sociale. Kur erdh koha e përcarjes, përcarjen e ka bo Albin Kurti dhe vetëm Albin Kurti. Ai e ka parë momentin, e ka analizuar e ka ditë disponimin dhe e ka përdorur në mënyrë klasike ndarjen”, tha Krasniqi.

Para se të ndodhë ndarja e njerëzve kryesor të LVV-së, Krasniqi u shpreh se Visar Ymeri i ka thënë “shko merru vesh me Albin Kurti”.

Ai thotë se LVV-ja nuk është pronë personale e Kurtit.

“Momenti i fundit, para ndarjes, krejt njerëzit që janë ndarë Dardanat, Visari më ka thonë shko merru vesh me Albin Kurtin. Me u marrë vesh për një mandat, por jo përjetësisht, mos mu lvv-ja pronë personale e Albin Kurtit. Personale është xhaketa. Njerëz si Albin Kurti munden me konë “baba” por themeluesi i LVV-së, jo pronari i LVV-së. Ai është nuhatës i situatave, e dinë saktësisht qysh shkojnë senet. E ka ndarë LVV-në, social-demokratët i ka poshtëruar. Visar Ymeri është kuadri ma i mirë dhe kredibil në Kosovë”, shprehet Krasniqi.