Ish-diplomati amerikan: Shtabi i Përgjithshëm ishte si Ministria e Jashtme e UÇK-së

Në Gjykatën Speciale po e jep dëshminë e tij ish-diplomati amerikan Shawn Byrnes. Nga gushti i vitit 1998 deri në korrik të vitit 1999, Shawn Byrnes ishte shef i misionit diplomatik vëzhgues në Kosovë në emër të Shteteve të Bashkuara, i quajtur ndryshe GDOM-i i Shteteve të Bashkuara.

Gjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm ka qenë si Ministria e Jashtme e UÇK-së, shkruan Demokracia.com.

“Kur thoni që Shtabi i Përgjithshëm ka qenë si Ministria e Jashtme e UÇK-së, është e saktë kjo?” pyeti avokati Misetiq, dëshmitarin Byrnes.

“Po, kjo ka qenë ndjesia që kemi marrë ne”, është përgjigjur dëshmitari Byrnes.

Në vazhdim të përgjigjes së mësipërme, dëshmitari foli edhe për UÇK-në dhe si perceptohej ajo nga ata.

“Mënyra sesi e kemi kuptuar ne ka qenë që në thelb gjërat nuk kanë ndryshuar në kohë që UÇK-ja ka pasur dy krerë. Ajo UÇK-ja origjinale fillestare ka bërë një bërje bashkë të atyre që do t’i shpjegoja si një forcë mbrojtje territoriale dhe ne në fakt në raportimet tona për Uashingtonin i kemi quajtur, pra, persona që kishin të bënin me grupe civilësh, që i kemi quajtur si ata civilët amerikanë që luftonin kundër trupave ushtarake britanike në revolucionin tonë në vitin 1700 dhe në të njëjtin terminologji kemi përdor edhe për këta, sepse mbronin shtëpitë e tyre dhe familjet e tyre”, tha ai.

Ai tha se kishin ndjesinë që UÇK-ja ishte formuar nga një kryengritje që udhëhiqej nga liderë individualë, që më pas u kthyen në komandantë të zonave.

“Ndjesia që ne kemi patur është që këto grupe janë përpjekur, pra që në fillim të viteve 90-të kanë krijuar një luftë kundër aparatit shtypës të forcave të Sllobodan Milloshaviqit në Kosovë. Disa nga ato tmerret që ua kanë bërë shqiptarëve kanë filluar si për shembull: djegia e fshatrave ose marrja e sendeve personale, pronave, këto lloj gjerash. Me kohë u pa që ishte një kryengritje e plotë që po fillonte në atë kohë, e cila po udhëhiqej nga liderë individualë, që pastaj u kthye në komandantë individualë të zonave”, tha dëshmitari Byrnes. /Demokracia.com/