Ish komandanti i FSK-së: Në Banjskë kanë vdekur rreth 10 serbë, Serbia po i mban sekret

Të shtunën, kryeministri i vendit, Albin Kurti e ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dolën në një konferencë të përbashkët për media. Nga aty, kumtuan lajmin se Milan Radojçiq po përgatit sulme të reja në Kosovë.

E situatën e sigurisë në vend e konsideroi të brishtë edhe ish komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Sipas Kastratit, Serbia është duke trajnuar një numër të konsideruar të serbëve lokal në kazerma pasi sipas tij, Serbia ka për qëllim revanshizmin për humbjen e disa pjesëtarëve në Banjskë të Zveçanit.

“Situata është e qetë por është e brishtë, Serbia sipas burimeve të mia dhe të intelegjencës kosovare janë duke trajnuar një numër të konsiderueshëm të serbëve lokal në kazerma dhe lokacione, ku policia dhe ushtria serbe kryen trajnime brenda territorit të Serbisë. Arsyeja që ata duan të revanshohen për humbjen e disa pjesëtarëve”, tha Kastrati në Tëvë1.

Madje ish komandanti i FSK-së, deklaroi se gjatë sulmit në Banjskë nuk kanë humbur jetën vetëm 3 serbë por sipas tij, rreth 10 pjesëtarë por që siç tha ai, Serbia po i mban sekret për arsye se të njëjtit kanë qenë qytetarë të Republikës së Serbisë apo pjesëtarë të njësisë elite të policisë dhe ushtrisë serbe.

“Sipas informacioneve që i kam ata nuk i kanë humbur vetëm tre por diku rreth 10 pjesëtarë. Mirëpo ata i mbajnë sekret për arsye se ata kanë qenë qytetarë të Republikës së Serbisë apo pjesëtarë të njësisë elite të ushtrisë dhe policisë serbe. Kanë qenë dy prej tyre sipas informacioneve që janë të republikës serbska por nuk përjashtohet mundësia që ka pasë aty edhe rus të cilët kanë qenë në këtë grup terrorist që kanë tentuar ta bëjnë një luftë në pjesën veriore të Kosovës”, shtoi ai.