Ish Komandanti i Zonës Operative të Karadakut: Serbia njihet për fabrikime të rasteve kundër shqiptarëve

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut (ZOK), Ahmet Isufi ka reaguar ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) të Gjykatës Speciale lidhur me zgjerimin e aktakuzë kundër ish-presidentit Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe Rexhep Selimit në të cilën përmendet edhe Gjilani.

Isufi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se rasti i të ashtuquajturit “Grupi i Gjilanit” janë shpallur të pafajshëm edhe pse ishte rast i fabrikuar nga Serbia, rast ky në të cilin doli se asnjë nga dëshmitarët nuk kishte të drejtë.

“Politika serbe për shumë dekada me radhë njihet për fabrikime të rasteve kundër shqiptarëve. Është e përsosur në këtë drejtim. Përpjekje të vazhdueshme ka bërë përmes diplomacisë me shpifje me krijua imazh kriminal për shqiptarët”.

“Mbajmë mend rastin kur pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grup i Gjilanit”, të cilët më 26 dhjetor 2008 u arrestuan nga xhandarmëria serbe me urdhër të Prokurorisë Speciale Serbe për Krime të Luftës, e të cilët u dënuan me 116 vite burg dhe pas 5 vitesh të vuajtjes në burgjet serbe janë liruar të pafajshëm nga Gjykata Supreme e Serbisë.

Prokuroria i akuzonte për krime monstruoze, përderisa asnjë dëshmitar nuk doli të kishte të drejtë”, ka shkruar Isufi.

Ai ka përmendur edhe raste tjera të fabrikuara nga Serbia.

“Rasti tjetër i montuar siç njihet “Panda” i kryer më 14 dhjetor të vitit 1998, autoritetet e atëhershme të shtetit serb e patën quajtur akt terrorist dhe për të i patën fajësuar shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Tek vonë autoritetet e larta serbe kishin thënë se nuk ka argumente se e kanë bërë shqiptarët dhe se opinioni në Serbi do të ballafaqohet me lajme të tmerrshme lidhur me këtë rast. Pra, ky rast ka dal se është i montuar nga shteti serb për t’ia lënë shqiptarëve, ngjajshëm sikur rastet tjera të shumta”, është shprehur ai.

Sipas Isufit, Gjykata Speciale është krijuar mbi bazën e akuzave nga Dick Marti për të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë”, dhe e cila më nuk përmendet në procedurë.

“Secili e di që Gjykata Speciale është krijuar mbi bazën e akuzave nga Dick Marti kundër UÇK-së e për të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë”, shtëpi e cila më nuk përmendet por dëmin kolosal ia shkaktoi Kosovës në imazhin e saj që nga fillimi i procedurës gjyqësore ndaj krerëve të UÇK-së”.

“Rasti i fundit, Dick Marti ndaj të cilit Serbia, në fakt politika aktuale në Serbi e cila udhëhiqet nga njeriu i cili ishte pjesë e aparatit vrastar të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, po del se ka organizuar një atentat ku më pas faji do tu mbetej shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë sipas mediave zvicerane”, ka thënë Isufi.

Isufi në fund ka thënë se zgjerimi i aktakuzës është përpjekje e radhës të zvarritet procesi sa më shumë që është e mundur, anipse dihet botërisht që e vërteta është në anën tonë, të luftës sonë të drejtë dhe të pastër.

“Zgjerimi i aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, është rasti tjetër i fabrikuar nga Serbia e që po përdoret tani nga Prokuroria e Dhomave te Specializuara. Është përpjekje e radhës të zvarritet procesi sa më shumë që është e mundur, anipse dihet botërisht që e vërteta është në anën tonë, të luftës sonë të drejtë dhe të pastër. Në fakt, prokuroria e Dhomave të Specializuara ka dështuar të siguroj prova dhe ngarend të zgjeroj aktakuzën për ta zgjatë sa më shumë procesin”.

“Këto janë vetëm disa nga dhjetëra e qindra raste tjera të fabrikuara nga Serbia e që kanë pësuar shqiptarët jo vetëm në dekadat e fundit nga lufta, por e tillë ishte historikisht”.

“Shqiptarët kanë luftuar për liri, në përpjekje për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, fëmijët e gratë, pleqtë e popullin e Kosovës në trevat e tyre. Historia nuk njeh edhe një luftë më të pastër se ajo e UÇK-së e për të cilën jemi krenarë përjetë”, ka përfunduar Isufi.