Heshtja e Kurtit dhe Osmanit për Simmons, avokati i tij: Ai ka prova të fuqishme për shkeljet në procese gjyqësore

Vetëm një pjesë të dëshmisë së tij, ish-shefi i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons ia ka përcjellë kryeministrit Albin Kurti.

Të njëjtën letër me kërkesë që të raportojë në Kuvendin e Kosovës, Simmons ua ka dërguar edhe presidentes Osmani e kryetarit të Kuvendit Konjufca.

Në këtë dëshmi të Simmonsit për të cilën raportoi të premten Radiotelevizioni i Kosovës, ai prezanton dëshmi për ndikime politike, dërgim të dosjeve nga EULEX-i në Beograd e manipulim të dëshmitarëve.

Simmons shpreh dilema për Gjykatën Speciale, duke shkruar se ishte mbështetur nga ndërkombëtarët për tu afruar me Serbinë. Ai pretendon se edhe prokurori i parë David Schwindeman ishte përjashtuar, pasi nuk arrinte të gjente prova për krerët e UCK-së.

Por, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy javë nga letra e Simmonsit drejtuar Kurtit e Osmanit, këta të fundit ende nuk janë përgjigjur.

Përgjigje nuk ka kthyer Qeveria as në pyetjet e televizionit për të kuptuar qëndrimin e kryeministrit ndaj kësaj teme.

Avokati i Simmonsit në Kosovë, Artan Qerkini e konfirmon se deri më tash ende nuk kanë marrë njoftim nga institucionet. Por, shprehet se ish-gjyqtari britanik duhet të dëgjohet nga deputetët.

“Bindja jonë është se Simmons do të dëgjohet, dhe do të duhej të dëgjohej. Pasi ai është shumë i bindur në të gjitha ato prova që i ka, pasi pikërisht ai po kërkon që një Komision i pavarur paralamentar t’i hetojë pretendimet e tij dhe të vendos në lidhje me validitetin e provave që ka. Bëhet fjalë për një gjyqtar që e dinë se cfarë është prova, e dinë cka është relevanca e provës dhe e di cka është dëshmia e rrejshme. Dhe nuk ka arsye pse të mos dëgjohet, për një mision që ka gjykuar në emër të popullit të Kosovës”, ka thënë Qerkini për RTK-në.

Kërkesën për raportim e kishte bërë edhe në Komisionin për Legjislacion. Kryetari e anëtarë të këtij komisioni, javë më parë ishin shprehur të gatshëm ta dëgjojnë Malcom Simmonsin.

“Pres që në mbledhjet e radhës të kemi ndonjë takim të formatit të caktuar, dhe ta dëgjojmë z.Simmons për pretendimet e tij”, ishte shprehur Adnan Rrustemi, kryetar I Komisionit.

Gjithashtu, edhe anëtarja e PDK-së në Komision për Legjislacion, Blerta Deliu-Kodra kishte thënë se kanë interesim për ta dëgjuar Simmonsin.

RTK ka mësuar se shumë shpejtë, Malcom Simmons do t’i ftojë deputetët në një video-konferencë për t’i njoftuar me provat që ka.

Simmons është një ndër sinjalizuesit që raportoi për shkeljet e rënda politike dhe orkestrimin e proceseve gjyqësore në misionin e EULEX-it në proceset ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.