Ish-kryeministri i Kosovës përkrah kërkesat e sindikatave, fajëson Qeverinë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka gjetur shkaktarin që shtyu Bashkimin e Sindikatave të Kosovës të nisin grevën të enjten.

Sipas tij, situatën deri këtu e solli mungesa e dialogut social mes Qeverisë dhe sindikalistëve.

“Kërkesat e sindikatave duhet të shqyrtohen me kujdes. Kërkesat e tyre janë të drejta”, u shpreh ish-kryeministri për “Front Online”.

Tutje Hoti tha se Qeveria e Kosovës e ka për obligim që të gjej një zgjidhje me sindikatat duke i pasur parasysh kërkesat e sindikatave dhe mundësitë buxhetore.

“Qeveria e ka për obligim të ulet me sindikatat dhe të gjejë zgjidhjet bashkërisht me to. Zgjidhja duhet të marrë në konsideratë kërkesat e sindikatave dhe mundësitë buxhetore”, deklaroi ai.

Kërkesa esenciale që e kanë punëtorët është ndarja e 100 eurove çdo muaj për të gjithë punëtorët e sektorit publik, deri në miratimin e Projektligjit të pagave.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, javën e kaluar pati njoftuar se janë proceduar në konsultime paraprake projektligji për pagat në sektorin publik dhe projektligji për zyrtarët publikë.

Tutje, Sveçla kishte sqaruar se projektligji për pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht”, ka shkruar ai në Facebook.