Ish-oficeri i UÇK-së denoncon Nazlie Balën për dëshmi kundër “Calit”

Ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj e ka implikuar Nazlie Balën, këshilltaren e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dëshmitare të mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Ushtaraku i karrierës, i cili i ishte bashkuar UÇK-së nga Ushtria e Shqipërisë më 1999, ka publikuar të hënën një shkrim autorial në të cilin përmend emrin e Nazlie Balës, si dhe katër emra të tjerë, si dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë Speciale në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ish-Komandantit të UÇK-së.

Në shkrimin autorial “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale”, të publikuar në agjencinë e lajmeve KosovaPress, Dritan Goxhaj pretendon se Nazlie Bala është e afërme e njërit prej viktimave për të cilat rreth tri javë më parë është dënuar ish-Komandanti i Njësitit BIA të UÇK-së.

“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar në KosovaPress, më 2 janar të këtij viti.

“Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar”, pretendon autori i shkrimit.

Siç pretendon Goxhaj, Nazlie Bala “UÇK-në e ka parë vetëm kur ka mbaruar lufta”.

“Edhe kjo njësoj si X (emri i dëshmitarit tjetër të përmendur nga autori), UÇK-në e ka parë vetëm kur ka mbaruar lufta, por për Prokurorinë kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka të lexosh atë që të jep Prokuroria për ta lexuar para Gjykatës”, vijon shkrimi i autorit.

Pretendimet e ish-oficerit i ka mohuar kategorikisht Nazlie Bala. Këshilltarja politike e ministres Albulena Haxhiu i ka thënë të premten Paparacit se ajo nuk ka asnjë lidhje me Gjykatën Speciale.

Bala ka thënë se nuk është në dijeni se kush është autori i shkrimit.

“Nuk kam lidhje me këtë as nuk po e njoh Dritanin as s’po di ku është publiku ky shkrim, lidhje nuk kam”, ka thënë ajo për Paparacin. “Jo lidhje skam, as skam të bëjë as me Salih Mustafën as si dëshmitare as si kurrgjë hiq. Më vije keq po për herë të parë po dëgjoj”.

Në shkrimin autorial, Dritan Goxhaj përmend edhe katër emra të tjerë për të cilët pretendon se janë dëshmitarë të mbrojtur, të fshehur, të Prokurorisë Speciale në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pretendon se është në dijeni edhe për emrat e dy dëshmitarëve të tjerë të mbrojtur të Prokurorisë në rastin e Salih Mustafës, por thotë se emrat e tyre nuk do t’i publikojë për shkak se “janë pjesëtarë të familjes së viktimës”.

“Dy dëshmitarë të tjerë të mbrojtur e të fshehur janë pjesëtarë të familjes së viktimës dhe për këtë arsye atyre nuk po jua vë emrin këtu, pasi mund të merret me mend gjëndja e tyre psiqike dhe emocionale për familjarin e tyre”, pretendon ai.

Lidhur me qëndrimet e shpalosura në këtë shkrim, Goxhajt i ka replikuar ish-anëtari i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Ibrahim Kelmendi.

Në një koment në Facebook, Ibrahim Kelmendi është shprehur i irrituar nga “kjo fushatë kundër ZPS (Zyrës së Prokurorit të Specializuar) dhe gjykatës speciale”.

“Komandant, kur do me marrë vesh, UÇK, Kosova, NATO janë dënuar nga Asambleja Europiane, e cila ka miratuar Raportin e Dik Martyt dhe tani kjo Gjykatë është duke e diskredituar atë Raport”, ka shkruar Kelmendi.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999. Në atë kohe, ai kishte qenë pjesë e Akademisë së Aviacionit në Ushtrinë e Shqipërisë.

Në disa paraqitje publike vitet e fundit, ai ka kritikuar ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për veprimtarinë e tyre të pasluftës në Kosovë.