Nga “Shko Hashim” tek “E pabesueshmja” e Kurtit, pas një kohe të gjatë flet për ish-krerët e UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mundohet të mos flasë fare për gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale në Hagë.

Inatet politike duket se ishin pengesë një kohë të gjatë që Kurti as të mos fliste për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, se lëre më t’i mbronte ata.

Madje, ai pas një takimi në Bruksel në fillimin e Qeverisë Kurti 2 ishte treguar tejet i ashpër, duke thënë se eliminimi nga skena politike e kriminelëve të luftës krijon shpresë në Ballkan.

Në këtë deklaratë të veten, Kurti nuk e kishte specifikuar se për kënd e kishte fjalën saktësisht.

“Në anën tjetër, të gjitha vendet e Ballkanin Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejtë, nëse i përmbahen tri, le të themi, vlerave shumë të rëndësishme. E para është demokratizimi, e dyta është sundimi i ligjit dhe e treta është ballafaqimi me të kaluarën. Pra, eliminohen nga skena politike e institucionale, kriminelët e luftës. Edhe më tej në Ballkan Perëndimor kemi edhe kriminelë të luftës dhe kriminelë të paqes, të cilët dominojnë në institucione dhe parti politike dhe kjo do të marrë fund. Në këtë mënyrë do të krijohen kushtet edhe për më shumë shpresë dhe më shumë besim në të ardhmen”, kishte thënë Kurti, ndër të tjera, në një deklaratë në Bruksel.

Por, së fundmi ai ka vendosur të ndryshojë qasje, shkruan Demokracia.com.

Kurti në një intervistë dhënë për gazetën La Repubblica, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë kanë bërë luftë të fortë me Serbinë.

“Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftuan për liri”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se ndërsa kjo ndodh, Vuçiqi, ministër i dikurshëm i Sllobodan Millosheviqit, bashkëpunon ngushtë me Putinin.

“Është një nga paradokset evropiane”, ka deklaruar Kurti.

Por, për opinionin kosovar, Kurti më herët kishte tjetër pikëpamje. Madje, në një shkrim të gjatë në Facebook, Kurti i thoshte ish-presidentit Hashim Thaçi që të shkonte në Hagë: “Shko Hashim”.

Kurti asokohe thoshte se burgu nuk është tragjedi dhe fatalitet, shkruan Demokracia.com.

“Burgu nuk është tragjedi dhe fatal. Sidomos ky i Hagës. Besoj që Ramushi, Fatmiri e Batoni të kanë treguar: aty ka televizor, ushqim të mirë tre herë në ditë, salla për rekreacion dhe libra të panumërt në bibliotekë të pasur. Nuk të ndodh asgjë e keqe atje, përveç faktit që do të kesh kohë të përballesh me ndërgjegjen tënde, të cilën kushedi sa vite ka që nuk e takon më. Shko Hashim.”, shkruante atëkohë Kurti.

Letra e plotë e Kurtit:

Shko Hashim

Arritjet dhe sukseset që Kosova i ka pasur falë sakrificave të popullit tonë e të UÇK-së, por edhe falë ndihmës së miqve ndërkombëtarë, u përpoqe t’ia përshkruash vetvetes. Por, kur erdhi puna për të mbajtur përgjegjësi, e mohove UÇK-në, e le në baltë popullin, dhe i tradhtove ata që e mbështetën tradicionalisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Prandaj, ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015. Shko Hashim.

Kosova nuk është dashur të ketë gjykatë speciale me paracaktim etnik, por gjykata normale dhe zbatim të ligjit. Tash, edhe nuk kemi gjykata normale e zbatim të ligjit, si në shtetet demokratike, por edhe na është sipërvendosur gjykata speciale si asnjë shteti tjetër. Për të dyja këto je ti që mban përgjegjësi. Për ato normalet që s’i kemi dhe për këtë anormalen që na e solle. Prandaj, shko Hashim.

Burgu nuk është tragjedi dhe fatal. Sidomos ky i Hagës. Besoj që Ramushi, Fatmiri e Batoni të kanë treguar: aty ka televizor, ushqim të mirë tre herë në ditë, salla për rekreacion dhe libra të panumërt në bibliotekë të pasur. Nuk të ndodh asgjë e keqe atje, përveç faktit që do të kesh kohë të përballesh me ndërgjegjen tënde, të cilën kushedi sa vite ka që nuk e takon më. Shko Hashim.

Prokuroria e gjykatës speciale i është sulur komandantëve të zonave, brigadave, batalioneve dhe të njësive tjera. Mos e lejo këtë. Dilju zot atyre. Mbroji ata. Mbroje UÇK-në. Sepse nuk është korrekte të marrësh meritat 20 vjet e përgjegjësinë asnjë ditë. Sa herë të është dashur të mburresh para shqiptarëve në mediat e Prishtinës dhe Tiranës, je shfaqur si luftëtar i shquar i UÇK-së. E kur të është dashur të flasësh për media ndërkombëtare, ke thënë se ke qenë larg linjave të frontit e fushëbetejave të luftës. Si mund të të durojmë tash kur luftëtarët e vërtetë po i thërret prokuroria që e solle ti? Prandaj shko vetë. Shko Hashim.

Mos e fut Kosovën në gjeostrategjitë e Rusisë e taktikat e Serbisë. As mos e mendo ta japësh veriun si kapar apo të na bosnjëzosh me ‘Zajednicë’ për ta shpëtuar veten. Kosova, shtetësia dhe territori i saj, duhen mbrojtur nga pazaret e jo të shtyhen drejt tyre. Mos ia rëndo punën vetes duke e hedhur Kosovën në pazar e duke joshur Serbinë dhe Rusinë. Mos ia rëndo punën Kosovës duke u vendosur kundër Gjermanisë e Britanisë, por edhe kundër qëndrimeve afatgjata të administratës amerikane e të NATO-s. Nuk është gjeopolitika bastore. Shko Hashim.

Kosova nuk mbrohet po i hoqe sadopak veriun. Ushtarakët e dinë më së miri se si rrezikohet Kosova po u ngjit ushtria e Serbisë në majën e Pançiqit në Leposaviq. Mos u bëj si Neville Chamberlaine në Marrëveshjen e Mynihut para tetë dekadash, kur për paqe e pajtim ia dha Hitlerit një pjesë të madhe të Çekosllovakisë, që nazistët e quajtën “Sudettenland”. Historia na mëson se kush bën pazar me fashistët e shovinistët, fatin e ka të përbashkët me ta. Gjithnjë fashistët e shovinistët mbërrijnë të duken të fortë e të patejkalueshëm, por vetëm për një periudhë të shkurtër, sepse njerëzimi nuk mund t’i durojë gjatë. Prandaj, mos na fut në pazar me ta. Më mirë shko Hashim. Shko në Hagë.

Ne besojmë që ti nuk je fajtor për luftë, ashtu si çdo person i angazhuar për çlirim, qoftë në front, e qoftë larg frontit si puna jote. Por ne besojmë se ti je fajtor për shumëçka të keqe që na erdhi në paqe, në dy dekadat e fundit. Mos e lër popullin të vuajë, mos e lër Kosovën të paguajë për mëkatet e tua. Shko Hashim.

Mos e mbyt shoqërinë civile dhe mediet duke privilegjuar atë që na e la Stanishiqi trashëgim te dera, e i cili po rekruton e po promovon brezin e ardhshëm të bashkëpunëtorëve të rinj. Mjaft me mbështetjen dhe avancimin e servilëve dhe mediokërve, të argatëve e shërbëtorëve të një mijë zotërinjve. Mjaft me përkrahjen e tregtarëve të flamujve. Shko Hashim.

Po pra, shko Hashim. Në Hagë thuaje fjalën tënde me argumente e fakte, në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Të takon. Je historiani që ishe në luftë. Bëhu presidenti që hyn në histori. Shko Hashim.

Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti.

Kujtojmë që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza e Prokurorisë i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për veprat penale që lidhen me krime lufte, si: ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje.

Sipas Dhomave të Specializuara, këto krime janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Prokuroria pretendon se këto krime të prezantuara në aktakuzë janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë, si dhe në disa të tjera në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për çdo pikë të aktakuzës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Pretendimet për këto krime të supozuara janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.