KQZ vendos: Fushata zgjedhore nga 3 deri më 12 shkurt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhje sot pas të cilës ka njoftuar se certifikimi i partive do të nis nga nesër dhe do të zgjasë deri më 21 janar.

“Aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 janar dhe përfundon më 16 janar 2021. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 1 shkurt 2021. Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 shkurt dhe përfundon më 12 shkurt 2021”, është thënë në mbledhje të KQZ-së.

Nga KQZ është bërë e ditur se votimi me postë fillon më 2 shkurt dhe përfundon 24 orë para zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se janë të obliguar nga dita e sotme të fillojnë përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

“Shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve do të kemi reformë zgjedhore dhe do të adresohen të gjitha çështjet. Ky është plani operacional dhe këto afate do të jenë të qasshme në faqen e KQZ-së posa të aprovohen në këtë mbledhje”, ka thënë ajo.