Izrael, kryeministri dhe kreu i opozitës pajtohen të formojnë “qeveri uniteti”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe kreu i opozitës, Benny Gantz, janë pajtuar të formojnë një qeveri të unitetit kombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Netanyahu, kreu i partisë në pushtet dhe Gantz, kreu i partisë “Kaltër dhe Bardhë”, u pajtuan të formojnë qeverinë pas dështimeve që shkaktuan mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme tre herë brenda një viti.

Izraeli është përballur me një krizë politike që nga prilli i vitit 2019 kur zgjedhjet nuk arritën të nxjerrin një koalicion qeverisës. Proceset zgjedhore që pasuan po ashtu ishin jokonkluzive.

Periudha e dhënë nga presidenti izraelit, Reuven Rivlin, për të formuar një qeveri përfundoi javën e kaluar dhe detyra e paraqitjes së një kandidati të ri për kryeministër kaloi në parlamentin izraelit.

Sipas ligjit, një anëtar i parlamentit Knesset ka 21 ditë për të formuar një qeveri me shumicë prej 61 votash.

Nëse asnjë anëtar nuk e arrin objektivin brenda afatit, përbërja e 23-të e Knesset-it do të shpërndahet më 7 maj dhe zgjedhjet e përgjithshme të katërta do të thirren më 4 gusht.