Vendimi i MINT-it për çmimin e naftës, naftëtarët mblidhen sot

Vendimi i ri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës, ka bërë që naftëtarët të mblidhen sot.

Takimi do të mbahet në orën 11:30.

Lajmin për Front Online e ka konfirmuar vet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

“Sot kemi takim në ora 11:30. Ne akoma nuk kemi marrë kurrfarë vendimi. Çdo vendim i marrun, kompanitë e mëdha i lodhë, ndërsa kompanitë e mesme dhe të vogla i shkatërron”, ka thënë ai.

Ndryshe, Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës, “me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg”

Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.

“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.