Ja kush ia doli e kush nuk ia doli të bëhet deputet në PDK

Uran Ismaili, Bedri Hamza Abelard Tahiri dhe Kujtim Gashi janë bërë pjesë e Parlamentit. Ka dështuar vetëm Dhurata Hoxha që ka pasur pozitën e Ministres së Integrimeve Europiane.

Dhurata Hoxha mund të shkojë në Parlamentin e Kosovës vetëm si mysafire. Kjo për shkak se s’ka arritur të behet deputete. S’mund të bëhet më as pjesë e Qeverisë qysh kishte ndodhur në dy mandatet e fundit kur PDK ishte në pushtet.

Partia e Kadri Veselit ka dalë e trete dhe kanë vendosur të qëndrojnë në opozitës.

E, si deputetë të opozitës do të jenë në Parlament ish-Ministrat tjerë të PDK’së.

Uran Ismaili, Ministër në largim i Shëndetësisë ka marrë mbi 28 mijë vota dhe është i dyti në PDK.

Edhe Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza ka arritur të bëhet deputet. Është renditur i gjashtë në mesin e më të votuarve të PDK’së. ka marrë 15 mijë e 370 vota.

Hamza më herët ka mbajtur edhe pozitën e Shefit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është bërë deputet. Ai ka marrë 14 mijë e 492 vota. Pas tij është renditur Kujtim Gashi, Ministër i Kulturës duke marrë 13 mijë e 272 vota.

Bazuar në të dhënat e siguruara nga KQZ’ja dhe Qendra e Numërimit dhe Rezultateve jashtë listës së deputetëve mbetet Fadil Nura, i cili ka gati 9 mijë vota. As onkologu Ilir Kurtishi s’ka hyrë në Parlament. Ai ka marrë 8 mijë e 516 vota.

Nënkryetari Xhavit Haliti, i njohur më së shumti me deklaratën e tij, se secili kosovar ka nga dy-tre milionë euro, s’ka arritur të bëhet deputet. Nuk dihet pse njeri prej themeluesve të PDK’së ka dështuar të bëhet deputet.

Kryetari i Degës së PDK’së në Pejë ka marrë vetëm 8 mijë e 252 vota. Renditet i treti në listën e atyre që kanë dështuar të bëhet deputet.

Shaqir Totaj ka shënuar edhe një humbje në garën para qytetarëve. Pasi s’ka arritur të bëhet Shef i Prizrenit, ai s’ka arritur të hyjë në Parlament. Ka marrë vetëm 8 mijë 11 vota.

Keq me vota ka dalë edhe Hajdar Beqa, Kryetar i Degës së PDK’së në Gjakovë. Ai ka dështuar të bëhet deputet. Ka marrë vetëm 7 mijë e 999 vota.

Ka dështuar edhe Idriz Vehati, i cili do të mbetet vetëm profesor në UP. Ish-Kryetar i Rahovecit ka marrë vetëm 7 mijë e 958 vota.

Keq ka dalë edhe Shefi i të rinjve të PDK’së. Ka dështuar të bëhet deputet. Mjeku nga Mitrovica ka marrë vetëm 7 mijë e 764 vota.

Këto të dhëna i ka siguruar Gazeta Express në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nga Qendra për Numërimin e Rezultateve.

PDK, për herë të parë prej pasluftës, doli e treta dhe ka vendosur të mbetet në opozitë. Ka qenë në pushtet prej vitit 2007, kur kishte fituar garën elektorale. Në dy mandate ka pasur pozitën e Kryeministrit ndërsa në dy mandatet e fundit ka qenë në pushtet por Shefi i Qeverisë ishte i partive tjera.

Kadri Veseli ka thënë se do të vazhdojë të mbetet në krye të PDK’së dhe s’ka dhënë asnjë shenjë se mund të largohet nga udhëheqja e Partisë.

PDK kishte përfunduar zgjedhjet partiake para zgjedhjeve derisa ende s’ka emëruar as Nënkryetarët dhe as Kryesinë. Vazhdon të funksionojë vetëm me Kryetarin në detyrë dhe Këshillin Drejtues.

Express ka raportuar më herët se tre më të votuarit e PDK’së janë: Kadri Veseli, Uran Ismaili dhe Mërgim Lushtaku. Jashtë Parlamentit do të jenë: Xhavit Haliti, Hajdar Beqa….

Express ka raportuar po ashtu se pjesë e Parlamentit do të jetë edhe Hajredin Kuçi, profesor i UP’së dhe Nënkryetar i PDK’së.