Jashari sqaron deklaratën e tij se në Kotorr e Radishevë nuk ka pasur luftë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka sqaruar deklaratën e tij rreth luftës në fshatrat Kotorr e Radishevë për të cilën thotë se u keqinterpretua.

Përmes një postimi në Facebook Jashari ka thënë se nuk kishte deklaruar në asnjë moment se s’ka pasur ushtarë e dëshmorë nga fshatrat Kotorr e Radishevë, por thotë se pikërisht këtë vit ka vizituar një nga një familjet e e dëshmorëve në të këto fshatra, ku edhe ka dekoruar për kontributin e dhënë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Të dashura familje të dëshmorëve

Pas keqinterpretimit të deklaratave të mia të dhëna ditë me parë në televizion, kinse unë kam “ofenduar” familjet e dëshmorëve të Kotorrit dhe Radisheves me rrethinë, me lejoni që të sqaroj për opinionin e gjerë publik që unë në asnjë moment gjatë debatit nuk kam thënë që nuk ka pasur ushtarë dhe dëshmorë nga fshatrat Kotorr e Radishevë, në fakt hiq me larg se këtë vit kam vizituar një nga një familjet e dëshmorëve nga këto fshatra dhe fshatra tjera të komunës sonë dhe i kam dekoruar me mirënjohje në shenjë respekti dhe falënderimi për kontributin e dhënë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Familjet e dëshmorëve janë themeli i Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, me nder e krenari përkulemi para veprave të tyre heroike!