OVL-UÇK zbulon se si erdhën tek informatat që do ketë arrestime nga Specialja

Gjatë këtij muaji pritet që së shpejti do të ketë arrestime të para nga Gjykata Speciale. Kështu deklaroi nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK_ Nasim Haradinaj në një deklaratë dhënë për gazetën “Zëri”. Sipas Haradinajt informatat për arrestimet e para nga Gjykata Speciale i`u kumtuan nga disa avokatë italian, gjerman e anglez, shkruan “Zëri.info”.

“Ne kemi informata nga disa avokatë gjerman, italian e anglez që së shpejti në këtë muaj mund të fillojnë edhe arrestimet. Nëse fillojnë arrestimet nuk do të thotë që të gjendet fajtori, por ne shpresojmë që në fund si gjykatë do të dështojë sepse është e ngritur mbi shpifje dhe aktakuza që nuk kanë të bëjnë me këtë”, ka thënë Haradinaj për “Zërin”.

I pyetur se a dihet ndonjë emër konkret që pritet të arrestohet nga kjo Gjykatë, Haradinaj deklaroi për “Zërin” që as avokatët të cilët i kanë dhënë informacione për këto arrestime nuk dinë emra.

“Në fakt as avokatët nuk i dinë emrat e personave por ajo që ata na e kanë lajmëruar është se puna ka ardhur deri atu sa mund të fillojnë arrestimet edhe në këtë muaj”, pohoi ndër të tjera ai.

Tutje sipas Haradinajt Specialja e ka intensifikuar ditëve të fundit punën për arsye që siç thotë Haradinaj duhet arsyetuar fondet që ata marrin si Gjykatë.

“Unë mendoj që kjo është një punë që nga Gjykata na është atribuar. Normal që tash e shton intensitetin sepse e shfrytëzon edhe pak vakumin politik që është krijuar në vend por normalisht që ata mundohen edhe me i shqyrtuar shpenzimet e mëdha që ata i kanë dhe fondin e madh që u është ndarë atyre. Për asgjë tjetër nuk është duke u bërë thirrje sepse atyre u duhet të paktën ta arsyetojnë gjithë ato shpenzime që i janë ndarë kësaj gjykate. Qoftë me fakte qoftë pa fakte”, ka thënë tutje ai.