Javën e ardhshme nisin punimet në kompleksin memorial “Adem Jashari”

Javën e ardhshme do të nisin punimet brenda kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kështu u bë e ditur gjatë takimit që ka mbajtur Komiteti Ndërministror për koordinimin e procesit.

Komiteti ka bërë përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryeministri Albin Kurti tha se puna që do të bëhet në këtë kompleks do të jetë me standarde kombëtare e ndërkombëtare.

“Nga themelimi i këtij komiteti kemi ecur me hapa të sigurte dhe me veprime konkrete. Kemi vlerësuar gjendjen brenda kompleksit dhe tani po ndërhyjmë. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë dhe tani po e themelojmë komisionin e ekspertëve”.

“Raporti është ndërtuar nga profesorë të inxhinierisë dhe ndërtimtarisë, ndërkaq është hera e parë që është realizuar një vlerësim i tillë profesional. Pas konstatimeve të gjendjes, kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm. Javën që vjen nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesën e kompleksit”, tha Kurti.

“Nga lista e gjerë e miratuar në këtë komitet, tani kemi nëntë emra ekspertësh vendor e ndërkombëtar. Në momentin e themelimit, komisioni do të jetë krahu nacional i komitetit, duke u siguruar që puna e vendimmarrja e jone të bëhet me të gjitha standardet profesionale, ligjore kombëtare e ndërkombëtare”./FrontOnline