Jeremiq: Pranimi i planit evropian nga Vuçiqi është tradhtia kombëtare më e madhe ndonjëherë në Serbi

Kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, ka vlerësuar të shtunën se nëse të hënën, më 27 shkurt, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e pranon planin sipas të cilit Kosova do të njihet ‘de facto’, ai do të bëjë tradhti kombëtare.

“Tradhti të madhe kombëtare. sigurisht më e madhja që ka përjetuar Serbia në këtë shekull, ndoshta edhe në përgjithësi”, e ka vlerësuar Jeremiq pranimin e planit franko-gjerman, raporton Danasi serb, përcjell Demokracia.com.

Ai ka thënë se kjo do të thotë se Vuçiq ka pranuar në emër të Serbisë në mënyrë të detyrueshme ndërkombëtarisht që Kosova është shtet.

“Pavarësisht nga të gjithë “spin”ët dhe propagandat që do të tentonin ta mbulonin, çështja është shumë e thjeshtë. Duke qenë se Serbia është shtet, nëse pajtohet me barazinë me Kosovën, do të pranonte pa mëdyshje që edhe Kosova është shtet. Qëndrimi i Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare mund të thuhet jo në mënyrë eksplicite në marrëveshje”, tha Jeremiq.

Ai theksoi se “pasojat e kësaj tradhtie nuk do të ishin asgjë më pak se tragjike” dhe se pavarësia e Kosovës së shpejti do të njihet nga pesë shtetet anëtare të BE-së.