Jo veç për dinarin, SHBA dhe BE kritikojnë Qeverinë edhe për sulmet ndaj Prokurorisë: Është ofendim ndaj juve

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, i dolën në mbrojtje prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë, pasi që të njëjtët vazhdimisht janë përballur me kritika nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

Në konferencën vjetore të prokurorëve që u mbajt të shtunën e 2 marsit, Hovenier adresoi kritika ndaj ekzekutivit kosovar, për të cilin tha se duhet t’i mbështesë institucionet e drejtësisë, dhe jo t’i sulmojë ato.

“Është frustruese nganjëherë, është edhe ofenduese, që të përballeni me kritikat për shkak të punës së mirë që e bëni, jo vetëm nga publiku, por edhe nga udhëheqësit e degëve të qeverisë. Qeveria ka përgjegjësi për të mbrojtur sundimin e ligjit në Kosovë dhe qeverisjen e mirë”, tha Hovenier.

Nga ana tjetër, shefi i zyrës së BE-së Szunyog, i kualifikoi si sulme kritikat e zyrtarëve qeveritarë ndaj organit të akuzës.

“Kohët e fundit, për fat të keq, kam vërejtur deklarata të qeverisë në media që sulmojnë prokurorët dhe gjyqtarët. Unë e kam kritikuar publikisht këtë, duke nënvizuar rëndësinë themelore të pavarësisë së prokurorisë dhe gjykatave”, potencoi Szunyog.

Madje sipas tij, sulmet që tentojnë të ushtrojnë ndikim të padrejtë, apo ta minojnë autoritetin e institucioneve, janë të papranueshme dhe duhet të evitohen.

Në një linjë me Hovenier dhe Szunyog, ishte edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj. Ai kritikoi Qeverinë dhe Kuvendin për presion.

“Zyrtarë të Qeverisë kanë akuzuar një pjesë të madhe të prokurorëve e të gjyqtarëve, duke thënë se vazhdojnë të jenë të kapur nga partitë që e kanë pasur pushtetin deri para tri vjetësh”, theksoi Zogaj.

Por, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, potencoi se përkundër kritikave, të arriturat dhe sukseset e organit të akuzës janë pranuar edhe nga ekzekutivi.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati kritikuar Prokurorinë që sipas tij, përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë, nuk ngriti asnjë aktakuzë për sulmin në Banjë të Zveçanit.

“Ka pa numër fakte, dëshmi, pra të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”, thoshte Kurti gjatë një konference për media.

Po ashtu, eksponentë qeveritarë kishin akuzuar disa herë Gjykatën Kushtetuese se është shndërruar “në pengesë për reformat në drejtësi”.

Megjithatë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, gjatë një interviste të rrallë muajin e kaluar, e pati mohuar një gjë të tillë.

Ajo pati thënë se Kushtetuesja jo vetëm që nuk pengon në reformën në drejtësi, por kontribuon në përforcimin e shtetit të së drejtës dhe përfarimin e Kosovës me standardet të cilat i përcakton Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian.

“Të gjitha partitë politike, kanë humbur apo fituar raste të rëndësishme në Gjykatë. Sigurisht, pala humbëse gjithmonë ka kritikuar gjykatën. Është në natyrën vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese dhe jo vetëm edhe në gjykatat e rregullta që gjithmonë ka një palë humbëse”, kishte theksuar ajo në një intervistë për emisionin “Tempus” në KTV.

E para e Gjykatës Kushtetuese kishte sqaruar se respektimi i Kushtetutës është detyrë e secilit autoritet publik në Kosovë.

Sipas saj, konstatimi që bën gjykata në kontekst të një ligji dhe vlerësimi që një ligj i kontestuar para saj, nuk është në përputhje me kushtetutën nuk mund të shërbejë si argument që gjykata është kundër reformave në drejtësi.