Judah tregon çka i tha Lajçak për zhvillimet mes Kosovës e Serbisë: Tensionet s’kanë qenë kurrë më të larta në 20 vjet

Politikë

Judah tregon çka i tha Lajçak për zhvillimet mes Kosovës e Serbisë: Tensionet s’kanë qenë kurrë më të larta në 20 vjet

news image
sinjali
Sinjali.com
04 Janar 2023 07:36
Gazetari i The Economist, Tim Judah, i cili kishte raportuar nga lufta e fundit në Kosovë, ka bërë një shkrim të gjatë rreth zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Në një pjesë të shkrimit të titulluar “A do të përfundojë ndonjëherë lufta e Kosovës?”, ai thekson se me gjithë lojën e rrezikshme të luajtur me barrikadat javët e fundit në veri të Kosovës dhe në Serbi, gjërat “nuk janë gjithçka fatkeqësi dhe errësirë”.

Në këtë kontekst, ai ka sjellë deklaratat e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier – si dhe të një analisti serb.

Lajçak më tha: “Tensionet nuk kanë qenë kurrë më të larta në 20 vjet; Mosbesimi nuk ka qenë kurrë më i thellë”, ka shkruar Judah.

Por sipas tij, Jeff Hovenier, ambasadori amerikan në Kosovë, ka dhënë një notë më optimiste.

“Ai më tha se, përderisa qëllimi përfundimtar ishte njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë, ‘e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen’.

Judah që mbulon Ballkanin për “The Economist” dhe është autor i disa librave për Kosovën dhe rajonin ka sjellë edhe një vështrim të një analisti serb, Ivan Vejvoda.

Sipas tij, pavarësisht ngecjes aktuale, “të dyja palët e kuptojnë se duhet ta bëjnë këtë (marrëveshjen), por ata ende po kërkojnë një mënyrë në të cilën ata rezultojnë të jenë pala fituese, por nuk ka asnjë fitues në këtë. Të gjithë do të humbasin diçka – ose më mirë, askush nuk do të marrë gjithçka që dëshiron. Por kjo është pikërisht ajo që ka të bëjë me kompromisin: të arrihet një situatë ku dikush shkon përpara”.