Juristët thonë se ministri Murati veproi kundërligjshëm me kategoritë e luftës

Vendimi i Ministrit të Financave, Hekuran Murati, sipas të cilit, kategoritë e dala nga lufta të aplikojnë, për të qenë përfitues të subvencionit të energjisë, sipas juristëve është i kundërligjshëm.

Këtyre familjeve, të drejtën për subvencionim ua garantonte Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare, viktimave civile dhe familjeve të tyre, që është në fuqi edhe më tutje.

Vendimi i Qeverisë, sipas të cilit familjet që kanë të ardhura mujore më të ulëta se 150 Euro në muaj për anëtar të familjes, mund të aplikojnë për subvencionim të shpenzimeve të energjisë elektrike, u publikua dje, ndonëse u miratua para dy muajve.

Publikimit të vendimit i parapriu raportimi i ATV-së për përjashtimin e familjeve të kategorive të dala nga lufta nga skemat për subvencionim të rrymës.

Sipas juristëve, Ministri Murati shkeli ligjin edhe më herët pikërisht për këto kategori, kur u kërkoi që në rast se duan pensionin si kategori të luftës duhet të heqin dorë nga pensioni i pleqërisë apo punës.

Ministri Murati e ka pranuar se një numër i konsiderueshëm i familjeve që kanë përfituar nga subvencionimi në të kaluarën, nuk kanë aplikuar fare për subvencion sipas skemës së re. /atvlive.tv