Peach takon në Beograd komandantin e ushtrisë serbe, në fokus Kosova

I Dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach ka vijuar me vizita derisa po qëndron në Beograd.

Këtë të shtunë ai ka zhvilluar takim me shefin e shtabit të përgjithshëm të forcave serbe, Milan Mojsiloviq. Sipas një njoftimi, ata kanë shkëmbyer opinione mbi situatën aktuale rajonale dhe botërore, derisa fokusi ka qenë tek marrëdhënia me Kosovën.

Mojsiloviq ka thënë se forcat e tyre ushtarake grumbullohen sipas marrëveshjes teknike-ushtarake që ka shtuar se është në përputhje me Rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“KFOR-in e njohim si garantuesin e vetëm të sigurisë dhe popullatës serbe, si dhe trashëgimisë tonë kombëtare, kulturor, historike dhe fetare”, ka thënë ai.

Peach një ditë më parë ka takuar edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Bërnabiq dhe ministrin e jashtëm, Ivica Daçiq.