Kadrijaj: AAK-ja e gatshme për zgjedhje, Kurti ndoshta do ta rrëzojë vetveten

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdimësi po deklaron se nuk do të ketë zgjedhje para vitit 2025, vit ky në të cilin edhe i përfundon mandati kësaj qeverie.

Por, kohëve të fundit, janë shtuar zërat për zgjedhje të reja nacionale.

Përveç opozitës që gjatë gjithë verës së vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, tani edhe njerëz të rëndësishëm të pushtetit nuk po e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve.

Deputetja e AAK-së: Po punojmë në terren për zgjedhje të reja, jemi të gatshëm

Njeriu i dytë më i rëndësishëm në VV-së ka thënë se do të ishte mirë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se nëse ka vullnet të partive pse të mos shkohet në zgjedhje.

Por, a janë të gatshëm opozita për zgjedhje? Për Front Online ka folur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Ajo ka thënë se AAK-ja janë duke punuar në terren për këtë çështje.

“Në shkurt bëhen tri vjet që nga koha e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale, do të thotë do të jetë vit zgjedhor edhe ashtu sepse do të hyjmë në vitin e katërt. Ajo që po potencohet dhe po thuhet po Aleanca është duke punuar në terren, janë duke punuar të gjithë aktivistët, takime me struktura, pra jemi të gatshëm për zgjedhje”, është shprehur për FrontOnline deputetja Kadrijaj.

Kadrijaj: Viti 2024 është vit zgjedhor, kjo Qeveri e ka kthyer mbrapshtë Kosovën

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj për Front Online ka deklaruar se në situatën në të cilën gjendet aktualisht vendi, kryeministri Albin Kurti do kërkojë vet që ketë zgjedhje.

“A do të ketë zgjedhje, unë besoj që do të ketë sepse në situatën në të cilën gjendet Kosova ndoshta vet Albin Kurti do të kërkojë zgjedhje sepse në këtë situatë të gozhduar në raport me Asociacionin dhe me temat e tjera për të cilat nuk po ka forcë dhe fuqi të ballafaqohet më të gjitha këto probleme që Kosova është e sanksionuar, mendoj që vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më shpejtë dhe sa më parë që kjo qeveri do të shkojë në shtëpi është më mirë për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës”, është shprehur ajo.

Sipas saj Qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën prapa në pothuajse të gjithë sektorët.

“Kjo Qeveri e ka kthyer Kosovën mbrapa në agjenda të integrimit evropian, e ka kthyer prapa edhe në çështje ekonomike, sociale, në arsim, shëndetësi dhe në të gjithë sektorët. E, shihni pakënaqësia e rritur e qytetarëve, çdo ditë kemi protesta, çdo ditë kemi paralajmërime për protesta dhe kjo është e vërteta e kësaj qeverie”, ka thënë ndër të tjera deputetja Kadrijaj.

E, pyetur se kur mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme, Kadrijaj ka thënë se këtë nuk e di, por se 2024 është vit zgjedhor.

“Nuk e dimë, por duke parë që po ballafaqohemi me gjithë këto probleme një ditë të mirë Kurti ndoshta do të zgjohet dhe do ta shkarkojë veten dhe Qeverinë e Kosovës. Si dihet, nuk mundem me ditë por megjithatë është vit që jemi në vit zgjedhor”, ka shtuar ajo.