“Kafet e vogla” kthehen në vatër të artit e të muzikës

Rruga “Fehmi Agani” në kryeqytet ka qëndruar e bllokuar të dielën duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 01:00 pas mesnatë. Gjatë kësaj kohe nëpër këtë rrugë nuk ka kaluar asnjë makinë.

Ajo është kthyer në qendër të muzikës, artit dhe inovacionit. Dhjetëra qytetarë kanë kaluar kohë së bashku duke dëgjuar muzikë të bendeve të ndryshme vendore e ndërkombëtare. “Street Party Prishtina”, i cili u organizua për herë të dytë, ktheu vëmendjen e qytetarëve nga rruga “Fehmi Agani”, e cila ndryshe njihet edhe si rruga e “Kafeve të vogla”.

Artin Badivuku nga “Next Level” që është njëri nga organizatorët e festivalit, ka thënë se organizimi ka shkuar më mirë se vitin e kaluar. Sipas tij, këtë e ka ndihmuar edhe fakti se në bazë të një vendimi të lëshuar nga Komuna e Prishtinës kanë pasur kohë që të përgatisin vendin para se të fillonte ngjarja.

“Do të jemi në rrugë deri në ora 01:00 pas mesnatës, edhe pse muzika do të përfundojë në ora 23:00, pasi që në bazë të ligjeve në fuqi nuk na lejohet të bëjmë muzikë më vonë. Mirëpo, e rëndësishme është fakti që po shohim një pjesëmarrje më të madhe të njerëzve në krahasim me vitin e kaluar”, ka thënë Badivuku.

Këtë vit në mesin e atyre që perfomuan ishin DJ Antigone, Ad Disha, Alban Nimani, “Beat Movement”, D’Master, Gamblemania, Gesundheit, “Gipsy Groove”, “Jazzkova”, Rubin Beqo, “Sytë” dhe Yll Megi Alberina Haxhijaj.

/Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”/