Hoxhaj-Kurtit: S’mund të mbijetosh politikisht pa Thaçin, je kryeministri i vetëm në Evropë pa asnjë kontratë për vaksina

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për fjalimin që e pati sot në Kuvendin e Kosovës, ku ky i fundit tha se duhet të ulë dëmet në dialog që i kanë shkaktuar liderët e mëparshëm.

Hoxhaj në postimin e bërë në Facebook tha se Kurti nuk mund të mbijetoj politikisht pa Hashim Thaçin.

Tutje, kryetari i PDK-së tha se Kurti është kryeministri i vetëm në Evropë pa asnjë kontratë për vaksina.

Postimi i plotë i Enver Hoxhaj:

Albin Kurti nuk mund të mbijetojë politikisht pa Hashim Thaçin. Tërë karrierën e tij politike e ka orientuar në përbaltjen e figurës së tij dhe kurrë nuk ia ka arritur. Edhe tani që presidentin Thaçi nuk e kemi këtu, Kurti prapë po vazhdon të merret me emrin e tij.

Zotimet e kryeministrit Thaçi me NATO-n kanë qenë dhe mbeten legjitime dhe faktikisht po zbatohen edhe nga kjo Qeveri, sikur të gjitha ato paraprake.

Përndryshe, ky kryeministër do të duhej ta dëshmonte të kundërtën duke ndërmarrë hapa konkret për anulimin e saj. Më shumë sesa për presidentin Thaçi dhe zotimet në esencë, kjo qasje e tregon për inferioritetin e tij patriotik e politik dhe mungesën e vizionit qeverisës. Por, nëse dëshiron të flasim me fakte, qe një: Albin, ti je kryeministri i vetëm në Evropë pa asnjë kontratë për vaksina.