Kamberi: Lëvizja e tankeve serbe në Luginë provokuese, qytetarët në frikë

Pas sulmit të grupit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, është shtuar numri i lëvizjeve ushtarake serbe në Luginë të Preshevës.

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi në një intervistë për Front Online tha se autoblindat e tanket janë stacionuar në fshatin Samolicë.

“Raportimet kanë qenë të drejta dhe të kohshme. Lëvizjet e autoblindave dhe tankeve të ngarkuara nëpër kamionë të mëdhenj ndodhën ditën e nesërme dhe një ditë më vonë nëpër Preshevë e Bujanoc, për t’u stacionuar gjithë ato automjete ushtarake afër fshatit Samolicë (përskaj Korridorit 10) në afërsi të bazës ushtarake “Cepotin”, tha ai.

Këto lëvizje ushtarake deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi i ka konsideruar provokime.

Ai ka thënë se sulmi në Banjskë të Zveçanit ishte i organizuar nga Serbia.

“Vetë vënia në lëvizje e automjeteve ushtarake të rënda ishte një provokim i panevojshëm i shtetit që nxiti nervozë. Kosova nuk e ka sulmuar Banjskën. Kosova në Banjskë është mbrojtur nga sulmi terrorist me shumë gjasë i organizuar, stimuluar e sponsorizuar prej Serbisë, prandaj, as edhe rrezik minimal nuk ka pasë që të ‘sulmohet Serbia në Luginë të Preshevës’. Sepse ky ishte mesazhi i tregimit të muskujve që Vuçiq e bëri me vënien në lëvizje të soldateskës së tij. Duhet thënë se nga popullsia civile serbe, nuk ka pasur as edhe një provokim të vetëm”, ka thënë ai.

Për shkak të së kaluarës jo të mirë, deputeti Kamberi thotë që shqiptarët kanë qenë në frikë.

“Ka nervozë, njerëzit, duke kujtuar përvojat e shkuara kur Serbia ka ndërmarrë aksione arrestimesh në Luginë, edhe kësaj raste kanë pasur brengën e frikën se diçka e ngjashme mund të ndërmerret”, deklaroi ai.

Shaip Kamberi: Serbia po dëshiron viktima të tjera, ta pranojë realitetin

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka thënë se Serbia, politikën e vet ndaj Kosovës po vazhdon ta ndërtojë në mënyrë dogmatike, e ndikuar prej miteve mesjetare.

Ai thotë që politika serbe po kërkon viktima të tjera, derisa po i nderon edhe terroristët.

“Ka një problem serioz me Serbinë. Ajo, politikën e vet ndaj Kosovës po vazhdon ta ndërtojë në mënyrë dogmatike e ndikuar prej miteve mesjetare. Kësaj politike po i nevojiten martirë të rinjë (viktima të reja), sepse si të kuptohet veprimi absurd i qeverisë në Beograd kur shpall ditë zie për terroristët e vrarë. Ata njerëz në Beograd po festohen si heronj dhe martirët më të rinjë për ‘tokën e shenjtë’, ka thënë ai për Front Online.

Kamberi: Kosova nuk është e as nuk do të jetë Serbi

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi thotë se Serbia duhet ta njohë realitetin.

Ai thotë se Kosova nuk do të jetë asnjëherë Serbi.

“Pra Serbia, e ka të domosdoshme të ndjekë një politikë realiste, të çlirohet nga mitet mesjetare dhe ta njohë realitetin ekzistues. E ai është, Kosova nuk është e as do të jetë Serbi. Më pastaj, duhet kërkuar zgjidhje për të drejtat e pakicave, por ajo duhet të jetë zgjidhje që respekton simetrinë në trajtim”, u shpreh ai për Front Online.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit, fshat i banuar me shumicë serbe, kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Në krye të këtij grupi terroristë ka qenë Millan Radoiçiq i cili edhe vet e ka pranuar duke thënë se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.