Kandidatët potencial për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, ka bërë që subjektet politike të mendojnë për zgjedhje të jashtëzakonshme. Mirëpo, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar.

Menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt, partitë në vend kanë filluar të mendojnë për zgjedhje. Madje u përfol edhe për një koalicion parazgjedhor në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo ide iu dështoi, pasi dy partitë nuk po heqin dorë nga kandidatura për kryeministër.

Në Partinë Demokratike të Kosoëvs, kanë deklaruar se kandidat për kryeministër do ta kenë, kryetarin Kadri Veseli. Edhe vet Veseli në një intervistë për lajmi.net kishte thënë se nëse vendi shkon në zgjedhje, ai do të kandidojë për kryeministër.

Më të komplikuar këtë çështje, e ka Lidhja Demokratike e Kosovës pasi është në zgjedhje të brendshme. Më 3 gusht, kjo parti pretendon ta zgjedh kryetarin e më pas nëse vendoset për zgjedhje të jashtëzakonshme, të vendos edhe për kandidaturën për kryeministër.

I përfolur në këtë parti ka qenë nënkryetari, Lutfi Haziri i cili aktualisht është kryetar i komunës së Gjilanit.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kandidat përsëri do të jetë, lideri i saj, Ramush Haradinaj. Pas intervistimit nga Gjykata Speciale, Haradinaj e pranoi se do të rikandidojë duke thënë se beson që nuk do ngritët aktakuzë ndaj tij.

Albin Kurti do të jetë kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, këtë e konfirmoi për lajmi.net, deputeti Ismajl Kurteshi. “Kandidat do ta kemi Albin Kurtin”, tha shkurt Kurteshi.

Vesel Makolli nga Aleanca Kosova e Re, i ka thënë lajmi.net se ende nuk dihet se si do rrjedhojnë ngjarjet dhe se a do të shkojë kjo parti në koalicionin parazgjedhor. Makolli potencoi se kandidat favorit për kryeministër, është i pari i partisë, Behgjet Pacolli, pasi sipas tij vetëm ai mund ta nxjerr vendin nga kriza ekonomike dhe t’i parandalojë shpërnguljet.

Nga Nisma Socialdemokrate dhe nga Partia Socialdemokrate, ende nuk janë deklaruar zyrtarisht rreth kandidaturës për kryeministër por është përfolur emri i Fatmir Limajt dhe i Shpend Ahmetit. Ky i fundit, para disa ditësh i tha lajmi.net se PSD ka vija të kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës.

Së fundi Qeveria e Kosovës, u udhëhoq nga koalicioni PAN, AKR dhe Lista Serbe. Kjo qeveri nuk ishte jetë gjatë, pasi Haradinaj dha dorëheqje pas ftesës së Speciales për tu intervistuar.