Kanë frikë nga zgjedhjet e kujtojnë se do imponojnë logjikën e molotovit

Kryeministri Edi Rama tha sot në hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore të 30 qershorit në Cërrik, se partitë e opozitës kanë frikë nga zgjedhjet dhe nga përballja me qytetarët, ndaj edhe përbetohen për përplasje antidemokratike.

“Të gjithë e kanë kuptuar, socialistët dhe demokratët me mend në kokë, se ata kanë frikë nga zgjedhjet, ndaj bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve. Ata kanë frikë të dalin para popullit e të thonë se çfarë kanë bërë, çfarë kanë ndër mendje të bëjnë, e mbi të gjitha të tregojnë sesa të zotë janë të bëjnë gjërat që thonë”, – theksoi Kryeministri Rama.

Sipas tij, për fat të mirë, shqiptarët i njohin dhe e dinë shumë mirë sesa të zotë janë kur u jep një punë për ta çuar deri në fund.

“Kërcënojnë çdo ditë se nuk do e lënë popullin të zgjedhë. Kanë frikë të zotohen në mënyrë demokratike dhe përbetohen për përplasje antidemokratike. Nuk kanë logjikë e argument, ndaj edhe kujtojnë se do imponojnë logjikën e kasollave e molotovit”, – tha Rama.

“Por, për një gjë duhet të jenë të sigurtë. Ata janë të lirë dhe në të drejtën e tyre për të vendosur për veten, edhe nëse vendosin të vrasin veten politikisht, por nuk vendosin dot për asgjë tjetër, as për ne, as për Shqipërinë”, – përfundoi Rama./atsh