Kanionit të Holtës i rikthehet magjia e bukurisë, shembet diga

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se bukuria e magjishme e kanionit të Holtës nuk mund të preket dhe nuk do të preket.

Në një reagim pas aksionit të ndërmarrë për shembjen e digës së betonit në kanionin e Holtës, ku ishte planifikuar ngritja e një hidrocentrali, kryeministri Rama shprehet se dhamë fjalën publikisht që ky HEC nuk do të ndërtohet aty dhe po, ky HEC nuk do të ndërtohet aty.

“Për ne PO-ja është PO dhe JO-ja është JO. Dhamë fjalën publikisht që JO, ky HEC nuk do të ndërtohej aty dhe PO, ky HEC nuk do të ndërtohet aty. Themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë themi. Duhet vetëm pak më shumë durim në përgjithësi, ju lutem”, theksoi kryeministri Rama.

HEC-i i parashikuar për t’u ndërtuar në afërsi të Kanionit të Holtës në bashkinë e Gramshit nuk do të ndërtohet. Pas dëgjesave me banorët, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me autoritetet e tjera, ka bërë të mundur shembjen e digës së betonit e ndërtuar në afërsi të Kanionit.

Kanioni i Holtës është një nga pikat turistike më të vizituar në bashkinë e Gramshit. Në vendin ku ishte ndërtuar diga do të ndërhyhet për të rikuperuar dëmin e shkaktuar në mjedis.