Reforma në Drejtësi model për rajonin, SHBA mbështesin hapjen e negociatave në tetor

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj pati sot një takim me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit në detyrë për Çështjet Evropiane dhe të Azisë, Philip Reeker.

Cakaj tha se në këtë takim edhe një herë u nënvizua marrëdhënia e shkëlqyer dhe partneriteti i patjetërsueshëm strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në takim u nënvizua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe nevoja absolute e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i ShBA-ve do të jetë maksimal në shërbim të realizimit të këtij objektivi”, theksoi ministri Cakaj.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej. Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeo-strategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, ShBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor”, tha Cakaj.

“Po ashtu, Shqipëria është një partner strategjik i SHBA-ve dhe aleat aktiv në kuadër të NATO-s me kontribut të spikatur në operacionet paqeruajtëse të Aleancës. SHBA-të vlerësojnë pozitivisht rritjen progresive të buxhetit të mbrojtjes së Shqipërisë për ta jetësuar planin për realizimin e 2% të buxhetit në shërbim të mbrojtjes deri në 2024”, nënvizoi ai.

“Shqipëria është e përkushtuar ta thellojë bashkëpunimin e kultivojë partneritetin me ShBA-të në të gjitha fushat përkatëse! Orientimi euroatlantik është themeli vleror i politikës së jashtme të Shqipërisë në përgjithësi! ShBA-të janë referenca e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë”, tha Cakaj./atsh