Kapet ‘i forti’ i Fushë-Krujës që lëvizte i armatosur me makinë të blinduar dhe fenelina policie (VIDEO)

Policia Rrugore e Tiranës ka sekuestruar një armë zjarri dhe një mjet të blinduar me fenelina policie, ndërsa ka goditur edhe një rast të trafikimit të paligjshëm të klandestinëve.

Gjatë kontrolleve në rrugën Vorë-Krujë drejtuesi i mjetit me iniciale M. V. 44 vjeç, nga Fushë Kruja rezultoi se drejtonte një automjet të blinduar pa autorizimin përkatës me fenelina policie dhe me mangësi në dokumentacionin e mjetit. Makinës iu bë kontroll i imtësishëm, gjatë të cilit, 44-vjeçarit nga Fushë Kruja iu zbulua në çantën e dorës një armë zjarri pa leje, e tipit TT. 44-vjeçari i arrestuar tashmë do të përballet me drejtësinë.

Ndërkohë që një 20-vjeçar, me inicialet E. K. që u ndalua për t’u ndëshkuar me gjobë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, nga verifikim rezultoi se ishte i shpallur në kërkim për trafik të klandestinëve dhe mosbindje të urdhrit të policisë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve policia Rrugore e Tiranës ndaloi dhe M. C., 19 vjeç, banues në Durrës, i cili nga verifikimi rezultoi i pa pajisur me leje drejtimi, si dhe duke transportuar me mjet disa sirianë, në drejtim të Shkodrës, me qëllim dhënien ndihmë, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimit. Policia njofton se nga data 1 deri në 14 janar 2020 janë sekuestruar 3 pistoleta, 4 kallashnikovë, 3 armë gjahu, 3 pushkë, 1 silenciator, fitil zjarrpërcjellës dhe 3 armë të ftohta (thika).

Shqiptarja.com