KDI përgënjeshtron këshilltarin e Kurtit: Deputeti Arifi nuk e ka humbur mandatin

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka përgënjeshtuar këshilltarin e Albin Kurtit, Erzen Vraniqi i cili më herët tha se deputetit nga minoritetet Etem Arifit për shkak të dënimit e ka humbur mandatin.

Cakolli nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se i njëjti për shkak të dënimit e ka humbur mandatin në legjislaturën e kaluar dhe kjo nuk mund të përdoret për këtë legjislaturë, shkruan lajmi.net.

Në një humbje të mandatit sot ka aluduar këshilltari i Kurtit, Erzen Vraniqi duke pretenduar se një mungesë e kësaj vote do të pamundësonte formimin e qeverisë nga LDK-ja.

LDK-së i vështirësohet puna? Këshilltari i Kurtit thotë se një deputet e ka humbur mandatin

Ky është postimi i Cakollit:

TË GJITHA vendimet, lidhur me të cilat deputeti Etem Arifi ka votuar që nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor të vitit 2019, janë plotësisht ligjore dhe të njëjtat janë të pakontestueshme.

Deputeti Arifi është dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim prej 1 vit e 3 muaj, në mars të vitit 2019. Në maj të atij viti, ky vendim është publikuar edhe në media.
Gjatë asaj periudhe, deputeti Arifi i ka takuar legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës. Rrjedhimisht, deputeti Arifi ka humbur mandatin e tij të deputetit në legjislaturën e kaluar, e cila është shpërndarë dhe ka pushuar së ekzistuari më 22 gusht të vitit të kaluar. Por, ky dënim, nuk mund të përdoret si arsyetim ligjor që deputetit Arifi t’i përfundojë mandati aktual, që i takon një legjislature tjetër (të shtatës), krahasuar me atë kur ai ishte dënuar. Vendimet gjyqësore nuk mund t’a penalizojnë deputetin nëpër legjislatura të ndryshme.

Etem Arifi është certifikuar nga KQZ-ja dhe garuar në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019. Lidhur me çështjet e kësaj natyre, në vitin 2017, në rastin e decertifikimit të kandidatit Zafir Berisha, Gjykata Supreme kishte vendosur që deputetët nuk mund të privohen nga e drejta për të garuar në zgjedhje, përveç nëse kjo parashihet në formë eksplicite me vendim gjyqësor.

Në këtë legjislaturë, deputeti Arifi mund t’a humb mandatin vetëm nëse ai shkon në vuajtje të dënimit me burgim efektiv. Kjo do rezultonte me mungesën e tij prej 6 muajsh në seancë, që parashihet si një prej formave të humbjes së mandatit. Për përfundimin e mandatit të deputetit, duhet të vendosë Kuvendi, me votat e 2/3 të deputetëve të pranishëm, bazuar në propozimin e komisionit përkatës parlamentar.