Për shkak të pandemisë, qytetarët e Kosovës kursyen rreth 86 milionë euro më pak sesa vitin e kaluar

0
141

Qytetarët dhe bizneset në Kosovë, për 11 muaj kanë kursyer mbi 400 milionë euro.

Përkundër krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës mbi kreditë e reja, deri në nëntor të 2020-së, tregojnë se brenda këtyre muajve janë kursyer rreth 86 milionë euro më pak sesa periudha e vitit të kaluar.

Sipas raportit të BQK-së, deri në muajin nëntor të vitit 2020 janë kursyer 411.4 milionë euro, kurse një vit më herët kjo ishte 497.3 milionë euro.

Pra, duke krahasuar periudhën 11-mujore të vitit aktual me atë paraprak, del se janë kursyer 85.9 milionë euro më pak.

Pjesën më të madhe të kursimeve e bëjnë ekonomitë familjare, krahasuar me atë të kompanive.

“Stoku i gjithsej depozitave në shtator 2020 shënoi rritje vjetore prej 8.6 për qind, e që paraqet përgjysmim të nivelit të rritjes krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 16.4 për qind. Kjo rritje dukshëm më e ngadalësuar e depozitave krahasuar me periudhën parapake u ndikua në masën më të madhe prej depozitave të ekonomive familjare, pasuar nga ato të korporatave jofinanciare dhe atyre financiare, që po ashtu shënuan ngadalësim të rritjes”, thuhet në raport.

BQK thotë se ekonomitë familjare kanë kursyer 284.3 milionë euro, kurse 127.1 milionë euro janë nga kompanitë, apo korporatat jofinanciare.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe ka pasur rritje të dërgesave të diasporës në drejtim të Kosovës.

Deri në muajin nëntor 2020, mërgata ka dërguar 883.3 milionë euro, apo 104.2 milionë euro më shumë.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës.

Në tremujorin e tretë të vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur 40.8 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 24.4 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6.2 për qind.

Pra, për këtë periudhë, rritja e remitencave është për 18.1 për qind më e madhe se në vitin paraprak.