KEK-u deklarohet për protestën e ish-punëtorëve të sigurimit fizik: S’kanë kontratë pune

Korporata Energjetike e Kosovës ka dalë me një reagim pas protestës së sotme të ish-punëtorëve të sigurimit fizik.

Siç bën të ditur kjo kompani, në bazë të dokumentacionit të cilin e kanë trashëguar, figuron se njësia “ish Mbrojtja dhe Siguria” ishte ndarë (shthurur) nga KEK-u para 19 viteve (pra në vitin 2004) sipas strategjisë në fuqi të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Andaj, sipas KEK-ut nga ajo kohë ky shërbim kontraktohet nga kompanitë e licencuara të sigurimit fizik.

“Për sqarim, procesi i shthurjes së KEK-ut ka filluar në vitin 2004/05, faza e parë, me ndarjen e njësive jo-qenësore (9 njësi jo-qenësore përfshirë edhe shërbimin e sigurisë fizike), duke vazhduar në vitin 2006 me ndarjen e operatorit të sistemit dhe transmisionit (KOSTT) dhe në fund, ndarjen e operatorit të shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS/KESCO) në vitin 2013”

“Për më tepër, në bazë të dokumentacionit që posedojmë, asnjë nga ish punëtorët e kësaj ish njësie të shthurur në vitin 2004 nuk kanë kontratë pune me KEK sh.a. Në këto rrethana, nga aspekti ligjor, punëtorët në fjalë nuk kanë asnjë mundësi të figurojnë të jenë punëtorë të subjektit juridik KEK sh.a. pasi që ata kanë kaluar tek kompanitë private para se të regjistrohej KEK sh.a. si korporatë në vitin 2005”.

Më tutje, KEK-u vlerëson se, Ligji për shërbimet private të sigurisë parasheh që (1Shërbimet e sigurimit ofrohen vetëm nga kompanitë private të sigurimit, të licencuara dhe të autorizuara në pajtim me këtë ligj, dhe Shërbimet e sigurimit ushtrohen vetëm përmes punëtorëve të licencuar të sigurimit në pajtim me këtë Ligj.

Mbi këtë bazë, kjo kompani thekson se as nuk është i licencuar dhe as që ka mundësi për te aplikuar për licencim.