Kërcënohet avokati kosovar, shkak një lëndë në kohën sa ishte gjyqtar

Ish-gjyqtari në Departamentin e Përgjithshëm dhe mbikëqyrës në Gjykatën Themelore të Mitrovicës- Dega në Vushtrri, Rifat Bllata, i cili tashmë është avokat, është kanosur seriozisht gjatë ditës së djeshme në Vushtrri.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se avokati Bllata është kërcënuar nga një qytetar, për shkak të një rasti gjatë kohës sa ai kishte qenë gjyqtar dhe i akuzuar ka qenë personi që e kërcënoi. Ky i fundit siç duket pas një kohe ka vendosur t’i qërojë hesapet dhe ia zuri pritën avokatit.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari Sh.Sh., iu është vërsulur Bllatës në rrugën “Skënderbeu” në Vushtrri, ku iu është drejtuar me fjalë kërcënuese, çka e ka shtyrë këtë të fundit që ta thërras Policinë për ta raportuar rastin.

Pas raportimit të rastit, Policia është aktivizuar dhe e ka arrestuar personin e dyshuar, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë në lidhje denoncimin kundër tij. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim policor dhe inicim të rastit për veprën penale “Kanosje”.