“Kërkoj falje publike me gjithë zemër”, “je i pari që më solle këtu”, mërgimtari i kërkon falje Hotit për kanosje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën pas përfundimit të seancës fillestare, i akuzuari Reshat Sadiku u afrua pranë deputetit Avdullah Hoti dhe i kërkoi falje për kanosjen që ia kishte bërë në rrjetin social “Facebook”.

“Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai.

I njëjti tha se nuk është person që bën të tilla veprime, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kam kontribu shumë, tash më ndodhi kjo. Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë, kurrë në gjyq s’jam kanë as kurrë këso probleme s’kam pas”, tha i akuzuari.

Ndërsa, edhe deputeti Hoti i tha se ai është i pari që e ka sjellë në gjykatore.

“Ti ke qenë i pari që më ke sjellë këtu, kurrë s’kam qenë këtu”, tha Hoti.

I akuzuari sërish i kërkoi falje, duke i thënë se qëllimi i tij nuk ka qenë të bënte dëm diçka.

Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie mes Prokurorisë dhe mërgimtarit të akuzuar për kanosjen e deputetit, Avdullah Hoti.

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjyqtari i vetëm gjykues, Driton Berisha, ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie e arritur mes të akuzuarit Reshat Sadiku dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, akuzohet për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë seancë, prokurorja Fatmire Cacaj i propozoi gjykatës që të aprovohet marrëveshja për pranim fajësie, pasi sipas saj janë plotësuar kushtet ligjore.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Sadiku, avokatja Shemsije Sheholli, i ka propozuar gjykatës që të aprovohet marrëveshja për pranim fajësie e arritur mes Prokurorisë dhe të mbrojturit të saj.

Ajo i ka kërkuar falje deputetit Hoti, në emër të saj dhe të mbrojturit të saj.

Ndërsa, Hoti tha se e vlerëson pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, mirëpo shtoi se në këtë marrëveshje po sheh se askund nuk është kërkuar opinioni i tij nëse pajtohet me marrëveshjen. Ai tha se pajtohet me këtë marrëveshje, por vetëm me kusht që sipas tij, i pandehuri të kontribuojë në një nga shoqatat bamirëse.

“Unë nuk jam kërcënu si person privat, por si zyrtar i shtetit. Mospajtimet që mund të kenë qytetarët për punën që bëjnë si zyrtarë të shtetit janë kanalet zyrtare ligjore që mund t’i shfrytëzojnë”, tha Hoti.

Më pas, gjykatësi Driton Berisha tha se pranohet marrëveshja për pranim të fajësisë, e arritur mes të akuzuarit dhe prokurorit të rastit Arianit Salihume autorizim nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa shpallja e aktjgykimit pritet të bëhet sot në sesionin e pasditës.

Në fillim të seancës, i dëmtuari Hoti deklaroi se nuk ka pranuar asnjë shkresë, e që më pas Gjykata e pajisi me një kopje të aktakuzës si dhe me një kopje të marrëveshjes për pranim fajësie.

Sipas aktakuzës, më 15 dhjetor 2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari Avdullah Hoti, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “Facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri Reshat Sadiku, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “Facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën.

Me këtë, i pandehuri Sadiku ngarohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.