Këshilli Gjyqësor i Kosovës i reagon Albulena Haxhiut: Përmbahuni nga deklaratat që interferojnë në pavarësinë tonë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka reaguar pas deklarimeve të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se s’mund t’i mbështes Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nëse këto dy institucione i mbyllin sytë para skandaleve.

Me anë të një reagimi, KGJ ka thënë se këtë reagim po e bën për shkrimin e portalit KOHA.net, të datës 11.08.2021 me titullin: ”Haxhiu: S’mund t’i mbështes KPK-në dhe KGJK-në nëse i mbyllin sytë para skandaleve” si dhe ndaj deklarimeve të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se nuk dëshiron të mbështesë KGjK-në kur Këshilli do t’i mbyll sytë përballë skandaleve.

“KGjK, shpreh pakënaqësi dhe reagon lidhur me këtë shkrim duke njoftuar opinionin e gjerë, përfshirë edhe mediat, se Këshilli Gjyqësor, si institucion i pavarur, është duke i përmbushur përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore. Reagimet dhe deklarata e Ministres Haxhiu nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve sepse përgjegjësitë e institucioneve për komunikim dhe bashkëpunim përcaktohen me Kushtetutë dhe ligj, dhe jo nga vullnetet personale. Përndryshe, KGjK, ka mekanizmat e vet për adresimin e secilës çështje që është përgjegjësi e KGjK-së, andaj çfarëdo përpjekje nga jashtë, përfshirë edhe deklaratat e Ministres Haxhiu, janë pa ndikim në mënyrën se si funksionon ky Këshill”, thuhet në reagim.

Tutje aty thuhet se Këshilli Gjyqësor, i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe i bën thirrje Ministres së Drejtësisë që të përmbahet rreth çfarëdo deklarate që interferon në pavarësinë e gjyqësorit.