Këshilli i Ministrave i kalon Kopshtin Botanik bashkisë së Tiranës, UT të drejtë përdorimi

Kopshti Botanik nuk do të jetë më pronë e Universitetit të Tiranës. Kjo pasi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 17 korrikut të këtij viti, me anë të një VKM-je, Kopshti Botanik i ka kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës.

Në këtë VKM thuhet se është marrë vendimi që Kopshti Botanik të jetë pjesë e listës së pasurive të paluajtshme të Bashkisë së Kryeqytetit.

Megjithatë UT ka një marrëveshje me bashkinë që i garanton ushtrim të aktivitetit mësimor e të veprimtarive kërkimore-shkencore të Universitetit të Tiranës në ambientet e Kopshtit Botanik sa herë që është e nevojshme. Nga ana tjetër Bashkisë së Tiranës i është ndaluar të ndryshojë destinacionin e pasurive që i kalojnë në pronësi.

Kopshti Botanik i Tiranës u ndërtua në vitin 1964 dhe zë një siperfaqe prej 15 hektarësh bimësi dhe gjelbërim pranë liqenit . I përfunduar në vitin 1971, kopshti ka një koleksion fito-gjeografik me vlerë kulturore dhe shkencore. Kopshti ishte pjesë e Universitetit të Tiranës dhe I shërben shkollave në mbarë vendin. Kopshti përdoret për qëllime edukimi, si atraksion turistik dhe konsiderohet si një parajsë e vogël e gjelbër dhe vendi më i preferuar i gjelbër në Tiranë. Pothuaj 2,000 specie dhe gene ekzotike rriten ketu . Nuk duhet ta humbisni mundësinë per ta parë këtë thesar të vogël botanik. Në ditët e sotme nuk ka të dhëna sesa lloje bimësh vazhdojnë të kultivohen këtu, ose kush është sipërfaqja që zë tashmë pas ndërtimit të një blloku banimi në kufijtë e tij.