Këshilltari i Kurtit i ndërron me lehtësi deklaratat për VV’në: Të korruptuarit janë në PSD

Këshilltari i kryeministrit në detyrë, Shkelzen Gashi, thotë se sot nuk mendon njejtë për Lëvizjen Vetëvendosje sikurse në vitin 2017, pasi sipas tij tashmë njerëzit e korruptuar kanë braktisur partinë dhe kanë krijuar një subjekt të ri politik.

Shkëlzen Gashi i cili sot këshillon kryeministrin në detyrë, në vitin 2017 në emisionin ‘Rubikon’ (KTV), kishte thënë se shumica e njerëzve që Albin Kurti kishte mbledhur rreth vetes në Lëvizjen Vetëvendosje janë mediokër, të korruptueshëm dhe pa kurrfarë integriteti moral. Sipas Gashit, të tillët i duheshin Kurtit për t’i kontrolluar më lehtë.

“Një problem më i madh te VV është që ky (Albini) ka ofru afër vetes kryeisht njerëz kryesisht mediokër edhe njerëz pa kurrfar integriteti moral. Kta brenda krejt që i ka janë të korruptuar.. krejt.. po mendoj shumica dërmuese e njerëzve që i ka përreth. Sepse faji është te ky, sepse ky vet ka pas qejf me i pas kështu, mediokër të korruptuar, të korruptueshëm, në mënyrë që me mujt me I kontrollu ma lehtë”, kishte thënë ai në dhjetorin e vitit 2017.

Por tashmë që është ofruar edhe vetë afër Kurtit si këshilltar thotë se nuk e ka mendimin e njejtë për partinë që drejton Kurti, pasi sipas tij të ‘korruptuarit’ kanë shkuar në PSD.

Gashi thotë se ata për të cilët ka aluduar në vitin 2017 kanë braktisur partinë dhe kanë bashkëpunuar me parti kriminale, duke aluduar në AAK’në e Ramush Haradinajt, meqë në zgjedhjet e 6 tetorit PSD ka garuar bashkë në një koalicion me partinë që drejton Ramush Haradinaj.

“Natyrisht që nuk muj me e pas mendimin e njejtë, sepse shumica dërmuese e atyre për të cilët kam aluduar se janë të korruptueshëm e kanë braktis VV’në dhe kanë formuar një subjekt të ri, dhe pastaj u janë bashkangjitë partive tjera kriminale që tan kohën i kanë akuzu se janë parti kriminale”, ka thënë Gashi në një konferencë për media, i pyetur nga T7 nëse e ka mendimin e njejtë për Vetëvendosjen sikurse në vitin 2017.