Këshilltari i Pacollit: Gjuriq i disiplinuar në parashtrimin e kërkesës, i kemi dhënë leje për nesër

Ministria e Punëve të Jashtme e ka konfirmuar vizitën që zyrtari i lartë serb, Marko Gjuriq, do ta bëjë nesër në Kosovë.

Mediat serbe kanë raportuar se drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, do ta vizitojë Kosovën në prag të festës së krishtlindjeve ortodokse, e këtë e konfirmon e MPJ.

Jetlir Zyberaj. shef i stafit të Ministrit në detyrë, Behgjet Pacolli, ka thënë për Express se Gjuriq u ka bërë kërkesë institucioneve të Kosovës, prandaj edhe i është aprovuar.

“Ka qenë i rregullt dhe shumë i disiplinuar në parashtrimin e kërkesës dhe i është aprovuar”.

Zyberaj thotë se Kosova po respekton marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa njëjtë nuk po vepron Serbia, autoritetet e së cilës e kanë arrestuar një kosovar e tash po mbahet në paraburgim.

“Gjithashtu, ky është një tregues i qartë se Kosova i respekton të gjitha obligimet ndërkombëtare që ka marrë për lëvizjen e lirë të njerëzve. Në anën tjetër Serbia, vazhdon me mentalitet kriminal ta trajtojë Kosovën duke i ndaluar pa arsye qytetarë tanë. BE nuk duhet ta tolerojë një gjë të tillë ngase situata mund edhe të eskalojë”, ka thënë Zyberaj.

MPJ kërkon nga Serbia që ta lirojë Nezir Mehmetjajn dhe të ndalë sjelljen kriminale ndaj shtetasve kosovarë.

“Serbia duhet menjëherë ta lirojë qytetarin tone z.Mehmetaj dhe të ndalojë persekutimin dhe sjelljen kriminale ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës”, ka thënë këshilltari i Pacollit.

Gjuriq në mars të vitit 2018 ishte arrestuar në Mitrovicën Veriore dhe ishte dërguar në stacionin kryesor policor në Prishtinë, pasi hyri pa leje të autoriteteve kosovare, ashtu sic kërkon marrëveshja e Brukselit.