Këshilltari i Presidentit: Albin Kurti prapë dezertoi, ia dorëzoi vendimarrjen ministrit Arben Vitia

Adil Behrarmaj, këshilltar i Presidentit Hashim Thaci, ka thënë se Albin Kurti e dëshmoi se nuk mund të cilësohet as kryeministër në detyrë, për shkak se sipas tij, ky i fundit u dorëzua përballë pandemisë, duke ia lënë kështu të gjitha kompetencat ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Përmes një postimi në Facebook, Behramaj ka thënë se Albin Kurti nuk mund të amnistohet për asnjë shkelje, për shkak se u mundua ta politizonte edhe pandeminë me koronavirus.

“Ishte aq shumë i zënë në luftimin e pandemisë si kryeministër në detyrë, saqë tërë luftën tash e zbriti në nivel të ministrisë, deri sa betejën e vërtetë janë duke e bërë krejtësisht mantelbardhët me mbështetjen e policies”, ka shkruar Behramaj në Facebookun e tij.

Postimi i plotë:

Albin Kurti nuk është më as kryeministër në detyrë. Atë paaftësia prapë e çoi drejt dezertimit, duke ia dorëzuar vendimmarrjen Arben Vitisë, të cilin e ka shndërruar në infermier politik të tij. Tash i pushtuari nga dëliri i madhështisë po infuzionohet politikisht me grimcat në rënie e sipër të reputacionit si profesionist të ministrit të tij.

Ishte aq shumë i zënë në luftimin e pandemisë si kryeministër në detyrë, saqë tërë luftën tash e zbriti në nivel të ministrisë, deri sa betejën e vërtetë janë duke e bërë krejtësisht mantelbardhët me mbështetjen e policisë.

Kur presidenti kërkonte që të shpallej Gjendja e Jashtëzakonshme, Albin Kurti kishte gjetur strehë në paranojën e tij dhe nga aty gjykonte se ishte e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme dhe e padobishme. Madje, minimalisht edhe dy herë kishte bërë shkelje kushtetuese dhe ligjore, duke mos e thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, pas kërkesave të presidentit për t’u koordinuar rreth dekretit dhe masave për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Saktësisht, Kurti kishte shkelur nenin 127, paragrafin 3 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 5, paragrafin 5.4 të Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë, që e obligojnë t’i thërrasë takimet e Këshillit të Sigurisë nëse i kërkon presidenti.

Ky kryeministër i papërgjegjshëm nuk e meriton të amnistohet për asnjë shkelje. Por, për të mos i dhënë rast që ta politizonte edhe më shumë pandeminë dhe të luante politikisht me jetën e qytetarëve, kështu siç po luan tash edhe me ezanin duke e shfrytëzuar pamëshirshëm për qëllime politike, është lënë që ta bënte punën që deri dje thoshte se me të ishte shumë i zënë.

Tash dezertoi edhe nga luftimi i pandemisë si kryeministër në detyrë dhe më nuk është i zënë as me punë, duke përjashtuar këtu punën e shkarkim/ngarkimeve politike. Por, ai do të jetë i zënë ngushtë nga qytetarët që po kërkojnë përgjegjësi për veprimet e papërgjegjshme të tij!