Këshilltari i Thaçit i kundërpërgjigjet Surroit: Helmin në jetën politike e ke sjellë ti me VV’në, të rralla janë rastet kur ishe në anën e Kosovës

Pas reagimit të publicistit të njohur kosovar, Veton Surroi lidhur me pranimin e 1 mijë testeve për koronavirus si dhuratë nga Serbia, është deklaruar edhe këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, i cili thotë se helmi politik për të cilin ka folur Surroi është sjellë në jetën tonë politike nga vetë ai dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Behramaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qysh nga ish-Jugosllavia, të rralla janë rastet kur në fushën e mejdanit politik, Surroi ka qenë në anën e Kosovës.

“Helmin në jetën tonë politike e kanë sjellë Veton Surroi dhe Lëvizja Vetëvendosje. Dhe, që nga ish-Jugosllavia të rralla janë rastet kur në fushën e mejdanit politik, Veton Surroi ishte në anën e Kosovës.

Serbia i ka punët shumë më keq se Kosova me pandeminë dhe nuk ia ka dhënë Kosovës ato teste për t’i ndihmuar, por politikisht për të na minuar. Sipas të dhënave të sotme, në Serbi janë 5994 të infektuar dhe 117 të vdekur. Pra, me një popullsi gati pesëfish më të madhe se Kosova, ajo ka mbi dhjetëfish më shumë të infektuar!”, ka shkruar tutje Behramaj.

Ndërkaq, para pak orësh, përmes një shkrimi në Facebook, Surroi ka thënë se me ardhjen e këtyre testeve në Kosovë nuk ka nevojë të futet shëndeti i qytetarëve të Kosovës në mejdane për konfrontime politike me Serbinë, duke shtuar që as nuk ka nevojë për të shtuar helm në jetën politike, duke reaguar në mënyrë të ashpër për këtë donacion që është mirëpritur nga Qeveria.

“Një mijë teste të ardhur nga Serbia janë një mijë teste të ardhur për të testuar të infektuarit nga koronavirusi , real apo potencial.
Mejdane për konfrontime politike me Serbinë ka ende boll e tepër. Nuk ka nevojë të futet shëndeti i qytetarëve të Kosovës në to.
E as ka nevojë për të shtuar helm në jetën tonë politike. Ka boll e tepër”, ka përfunduar Surroi në Facebook. /