Këshilltari i Thaçit: Turpin e kësaj Qeverie, Surroi po e mbron me manipulimin e marrëveshjeve për të cilat Vetëvendosje i digjte institucionet

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, i ka reaguar shumë ashpër publicistit Veton Surroi, i cili u përpiq ta mbronte Qeverinë Kurti duke i keqcituar edhe marrëveshjet që i kishin negociuar si Ekip Negociator.

Behramaj ka thënë se Surroi paska harruar që testet nuk i janë dedikuar qytetarëve serbë, por qytetarëve shqiptarë, familjarëve të atyre që Serbia i vrau, masakroi, persekutoi, dhunoi, dëboi dhe ua dogji gjithë pasurinë që kishin. Kurse, sipas tij, kjo Qeveri ia mundësoi tash Serbisë që ta luajë edhe rolin e Shën Terezës me 1000 teste për COVID-19.

Ai ka thënë se ishin pikërisht këto marrëveshje teknike në emër të të cilave qenka thirrur Surroi për ta mbrojtur turpin e Qeverisë Moniste të Vetëvendosjes, për të cilat po ky subjekt politik i digjte Qeverinë dhe institucionet e Kosovës.

“Veton Surroi sot është një politikan i matufosur, që me stërvitje, mbjellje flokësh dhe telisje po mundohet t’i rezistojë kohës. Por, duke u munduar ta devijojë debatin politik, ai po tregon që ende nuk i ka harruar dredhitë jugosllave. Surroi paska thënë që është respektuar marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ardhjen e testeve prej Serbisë përmes Qeverisë së Kosovës. Këtë e paska mbështetur në insistimin e Ekipit Negociator të Kosovës, që çdo ndihmë e shtetit serb për qytetarët serbë në Kosovë të bëhet përmes institucioneve të Kosovës. Por, si i matufosur që është, ai paska harruar që testet nuk i janë dedikuar qytetarëve serbë, por qytetarëve shqiptarë, familjarëve të atyre që Serbia i vrau, masakroi, persekutoi, dhunoi, dëboi dhe ua dogji gjithë pasurinë që kishin. Kurse, kjo Qeveri ia mundësoi tash Serbisë që ta luajë edhe rolin e Shën Terezës me 1000 teste për COVID-19. Ishin pikërisht këto marrëveshje teknike në emër të të cilave qenka thirrur Surroi për ta mbrojtur turpin e Qeverisë Moniste të Vetëvendosjes, për të cilat po ky subjekt politik i digjte Qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Ishin po këto marrëveshje për të cilat Vetëvendosje e përgjakte edhe Policinë e Kosovës. Për këto marrëveshje me dhjetëra herë ishte sulmuar edhe Edita Tahiri dhe sot pa fije turpi, në emër të këtyre marrëveshjeve, Veton Surroi po përpiqet ta mbrojë Vetëvendosjen! Shkoni pyetni nënat në Gjakovë, Krushë, Reçak, Izbicë, Poklek dhe në mbi 400 vende ku serbët kryen masakra, me dhimbjen e të cilave Lëvizja Vetëvendosje bënte politike në opozitë, sesi po ndihen ato me pranimin e kësaj lëmoshe nga Serbia!”, ka shkruar Behramaj.