Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Mes rrebesheve të shiut do të ketë edhe intervale kohore me diell. Vende-vende priten shtrëngata të fuqishme dhe rrebeshe intensive shiu të cilat mund të shkaktojnë edhe vërshime afatshkurtra.

Edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot i paqëndrueshëm, me intervale kohore me diell dhe zhvillime të fuqishme të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Reshjet nuk pritet të jenë gjithëpërfshirëse posaçërisht nëse bëhet fjalë për disa rajone të Shqipërisë (bregdetare/mesdhetare) e cila ka territor mjaft të gjerë gjeografik.

Edhe nesër (e mërkurë) në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore pritet të mbajë mot mjaft i paqëndrueshëm. Priten intervale kohore me diell dhe zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe intensive lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër në disa lokacione.

Nga e enjta përmirësim i pjesshëm i motit. Do të kemi më shumë rreze diellore, megjithatë prapëseprapë priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan