Këta janë komandanti, rreshteri dhe dy hetuesit në Lipjan të suspenduar për rastin e Hamide Magashit

Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit Sokol Halili për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”, raporton Gazeta Sinjali.

Për pasojë, Sinjali mëson se Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Naser Sinani, rreshteri Hasim Lubovci dhe dy hetuesit policorë Fejsal Ahmeti dhe Frashër Rexheli janë suspenduar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë. Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur, tashmë të ndjerë, Hamide Magashi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.